0.3 C
Zurich
Friday, December 26, 2025
spot_img
spot_img

Pse duhet të votoj ty mes 110 kandidatëve? – Pyetja e drejtpërdrejtë e Burhan Morinës

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Zürich, 26 dhjetor 2025 – Kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri te zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, një nga temat më të diskutuara jo vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë, është pyetja thelbësore: kë ta votojmë? Jo vetëm partinë, por kandidatin. Pikërisht kjo dilemë po ngjall debat serioz mes mërgimtarëve, të cilët edhe pse larg atdheut, vazhdojnë ta ndjejnë Kosovën si përgjegjësi personale.

Në një bashkëbisedim me veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, profesor Burhan Morina nga Topanica e Kamenicës, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër, u artikulua një qasje ndryshe dhe mjaft domethënëse për votën. Një qasje që rrallë dëgjohet, por që meriton vëmendje.

Profesor Morina thekson se në votë nuk duhet të ketë emocione, por arsye, mendim kritik dhe përgjegjësi. Ai tregon se kandidatëve që i njeh dhe për të cilët ka qenë në dilemë, u ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë me një pyetje shumë të thjeshtë, por thelbësore:

“Pse të votoj ty? Çka të bën më të veçantë se të tjerët?”

Sipas tij, vota nuk është shpërblim për miqësi, as për fjalë të bukura, as për kostume elegante në parlament. Vota është kërkesë për punë konkrete.

“Ne nuk kemi nevojë t’i shohim deputetët vetëm në ulëse parlamentare, por në veprim, në angazhim dhe në përgjegjësi,” shprehet ai.

Edhe pse këtë herë nuk pata mundësi të jem në Kosovë, nesër do ta jap votën time në Konsullatën e Kosovës në Cyrih. Si shumë mërgimtarë të tjerë, kam miq e shoqe që kandidojnë, por kjo nuk do të thotë se vota ime është automatike.

Gjatë bashkëbisedimit me Prof. Burhan Morina

Përkundrazi, kam kërkuar përgjigje të qarta:

Çka do të bësh në parlament?

Cili është programi yt?

Çfarë do të bësh konkretisht për Topanicën, për Kamenicën, për Kosovën?

Kosova ka nevojë për deputetë që punojnë, jo vetëm që flasin. Nuk meriton votë ai që nuk ka bërë asgjë deri më sot, që nuk ka biografi pune, angazhimi dhe sakrifice. Nuk meriton votë ai që fshihet pas partisë, por nuk mban përgjegjësi personale. Punoni, mos u fshehni pas logos së partisë.

Kur e pyetëm profesor Morinën nëse ka marrë përgjigje nga kandidatët, ai u përgjigj se disa prej tyre i janë kthyer me shkrim, ndërsa njëri kishte thënë se “nuk do të shpëtojë asnjë ditë pa kontribuar”.

Kjo, sipas tij, është qasja që duhet kërkuar nga çdo kandidat.

Në fund, profesor Morina u bën thirrje të gjithë mërgatës që të dalë masivisht në votime:
“Pastaj të mos ankohemi. Votën e kemi në dorë. Vota është e lirë. Le të fitojë më i miri.”

Kosovën e duam ashtu siç e kanë dashur atdhetarët, ata që sakrifikuan gjithçka, madje edhe jetën, që sot ne të kemi shtet. Prandaj, vota është përgjegjësi e madhe morale dhe kombëtare. Ajo nuk është formale, por vendimtare për të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, pritet që institucionet dhe deputetët e rinj të mos harrojnë diasporën – veçanërisht gjeneratën e re të mërgimtarëve – e cila kontribuon vazhdimisht për Kosovën dhe meriton përfaqësim dhe vëmendje serioze.

Kujdes kujt po ia japim votën.
Kosova na duhet e fortë, e drejtë dhe me njerëz punëtorë në krye, transmeton helveticALforum.ch.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme