Nëse ke udhëtuar ndonjëherë me makinë në Zvicër, ndoshta të ka rënë në sy një detaj interesant: tabelat e autostradave janë të gjelbra. Kjo i bën ato të dallohen nga shumica e vendeve evropiane, ku sinjalistika e autostradave zakonisht është blu. Por kjo zgjedhje nuk është rastësore dhe ka një histori konkrete pas saj.
Fillimisht, edhe në Zvicër tabelat orientuese, përfshirë ato të autostradave, ishin blu. Kështu parashikonte rregullorja e sinjalistikës rrugore e miratuar më 31 maj 1963. Megjithatë, në vitin 1972 autoritetet zvicerane vendosën të ndryshojnë ngjyrën e tabelave të autostradave, duke i bërë ato të gjelbra, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kohës, transmeton 20min.ch. Një nga arsyet kryesore lidhet me faktin se Zvicra nisi ndërtimin e autostradave relativisht vonë krahasuar me vendet fqinje. Edhe pse planet ekzistonin që në vitet 1940, ligji për ndërtimin e rrjetit kombëtar prej rreth 800 kilometrash autostrada hyri në fuqi vetëm në vitin 1960, ndërsa punimet filluan pak më vonë. Meqenëse autostradat kanë rregulla të veçanta qarkullimi – si ndalimi absolut i biçikletave dhe këmbësorëve – u pa e domosdoshme që sinjalistika e tyre të dallohej qartë nga ajo e rrugëve kryesore (blu) dhe rrugëve dytësore (të bardha). Referimi te Konventa e Vjenës për sinjalistikën rrugore i dha Zvicrës dy mundësi për ngjyrën e tabelave të autostradave: blu ose jeshile.
Për të shmangur konfuzionin me rrugët kombëtare blu, autoritetet zgjodhën ngjyrën e gjelbër, e cila sot është bërë një tipar dallues i rrjetit zviceran të autostradave. Një zgjedhje e ngjashme është bërë edhe nga disa vende të tjera evropiane, si Italia, Suedia, Finlanda dhe Bullgaria, ku tabelat e gjelbra tregojnë rrugët më të shpejta dhe më të rëndësishme për qarkullimin, njofton 20min.ch, tranmeton helveticALforum.ch




