Toronto, Kanada – Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, mori pjesë në eventin promovues të lançimit të “The Artistè Foundation”, një nismë e re që synon të krijojë hapësira zhvillimi për artistët shqiptaro-kanadezë dhe të mbështesë krijimtarinë artistike si urë lidhëse mes komuniteteve të dy vendeve.
Eventi u organizua në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto dhe mblodhi figura të rëndësishme të komunitetit. Mes të pranishmëve ishin z. Adriatik Kryeziu, Ambasador i Republikës së Kosovës në Kanada, dhe z. Kadri Dakaj, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Toronto, të cilët ndanë mendime mbi rëndësinë e promovimit të talenteve të reja shqiptaro-kanadeze dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor.
Artistë të rinj dhe profesionistë të afirmuar patën mundësinë të shkëmbejnë ide dhe vizione mbi rolin e artit në ndërtimin e urave kulturore dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada përshëndeti këtë nismë premtuese, duke shprehur mbështetje të plotë për çdo projekt që promovon artin, kulturën dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar në Kanada, veçanërisht në drejtim të rolit dhe emancipimit të gruas.
“The Artistè Foundation” pritet të shndërrohet në një platformë të rëndësishme për zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe mundësi të reja për artistët në diasporë, transmeton helveticALforum.ch e përcjell Ambasada e Shqipërisë në Kanada, transmeton ARKK, pasqyron helveticALforum.ch
#womensupportingwomen #theartistefoundation #genderequality #newtalents




