Ambasadori i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Prof. Dr. Miftari, ka vazhduar aktivitetin e tij diplomatik dhe kulturor pas pjesëmarrjes në samitin e diasporës shqiptare të mbajtur në Tiranë, duke prezantuar librin e tij më të ri në një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe në Itali.
Sipas burimeve të publikuara nga HelveticALForum, ambasadori Miftari mori pjesë në një mbrëmje të veçantë kulturore të organizuar në Frasnita, të cilën vetë arbëreshët e konsiderojnë si “kryeqytetin e kulturës së Arbërisë”. Në këtë ngjarje u bë promovimi i librit të tij “Confessioni”, i botuar së fundmi nga shtëpia botuese italiane Morrone Editore.
Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe e pasur kulturore, ku u mblodhën artdashës, krijues, profesorë të gjuhëve klasike, përfaqësues të komunave arbëreshe, gazetarë dhe dashamirës të librit nga e gjithë Arbëria. Ky takim u shndërrua në një platformë të rëndësishme diskutimi jo vetëm për veprën e autorit, por edhe për trashëgiminë dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në diasporë.

Në këtë aktivitet folën personalitete të rëndësishme të jetës kulturore dhe institucionale arbëreshe, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Frasnitës, Angelo Catapano, nën patronatin e të cilit u organizua mbrëmja. Gjithashtu, mendimet e tyre mbi librin dhe rëndësinë e tij i ndanë edhe udhëheqësja e Politikave Kulturore në komunë, Caterina Adduci, drejtori i revistës “Jeta Arbëreshe”, Agostino Giordano, si dhe përkthyesja e librit në gjuhën italiane, Maria Antonietta Rimoli. Të gjithë ata sollën analiza dhe interpretime të thelluara mbi përmbajtjen dhe mesazhet që përcjell vepra “Confessioni”.
Në fjalën e tij, ambasadori Miftari shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe vlerësimin e bërë nga autoritetet lokale dhe komuniteti arbëresh. Ai theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla, të cilat, sipas tij, kontribuojnë në afrimin e mëtejshëm mes shqiptarëve në Ballkan dhe arbëreshëve në Itali, duke forcuar lidhjet kulturore, shkëmbimet artistike dhe njohjen reciproke të krijimtarisë.
“Takime të tilla janë ura të fuqishme komunikimi dhe bashkëpunimi kulturor, që i japin jetë identitetit tonë të përbashkët dhe e mbajnë gjallë trashëgiminë shqiptare përtej kufijve,” theksoi ai.

Mbrëmja nuk ishte vetëm një promovim libri, por edhe një homazh i veçantë për figurën e shquar të kulturës arbëreshe, Atë Antonio Belushi, i cili gjatë gjithë jetës së tij kontribuoi në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë se kultura mbetet një nga urat më të forta që lidh shqiptarët kudo që ndodhen, duke i dhënë zë historisë, identitetit dhe vlerave të përbashkëta. / Përgatiti Dashnim HEBIBI, Zvicër




