Profili i shqiptarëve që jetojnë në Evropë karakterizohet nga një moshë e re, me një pjesëmarrje e lartë në tregun e punës dhe me një prirje e fortë drejt integrimit afatgjatë.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT në raportin “Diaspora e Shqipërisë në shifra”, rreth 1.1 milionë persona të lindur në Shqipëri dhe afro 939 mijë shtetas shqiptarë jetojnë aktualisht në 31 vende evropiane, me përqendrimin më të madh në Itali, Greqi, Gjermani, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar
Nga pikëpamja demografike, diaspora shqiptare në Evropë është relativisht e re: 41% i përkasin grupmoshës 30–49 vjeç, ndërsa grupmoshat nën 30 vjeç përbëjnë një peshë të konsiderueshme, veçanërisht tek femrat.
Emigrimi mbetet kryesisht ekonomik dhe i orientuar drejt punësimit dhe bashkimit familjar.
Vetëm gjatë vitit 2024, 47.6% e lejeve të qëndrimit në BE për shtetas shqiptarë janë dhënë për arsye bashkimi familjar, ndërsa 29.1% për punësim
Raporti evidenton gjithashtu një rritje të fitimit të shtetësisë në vendet pritëse, veçanërisht në Itali, Greqi dhe Gjermani, çka sinjalizon kalimin nga migracioni i përkohshëm drejt vendosjes së përhershme.
Në tërësi, profili i shqiptarëve në Evropë po shndërrohet nga emigrant sezonal në komunitet të konsoliduar, aktiv ekonomikisht dhe gjithnjë e më i integruar në shoqëritë pritëse. /Omer Saraçi, transmeton rtsh. ( Foto ilustrim)




