6.3 C
Zurich
Sunday, February 1, 2026
spot_img
spot_img

Prof. Dr. Xhavit Lipaj publikon në revistë shkencore: Kujdesi përtej Kognicionit në Demencë

Duhet ti lexosh

Nga Prof.Dr. Xhavit Lipaj, Andermatt

Model: Kujdesi përtej Kognicionit: Integrimi i Etikës Relacionale dhe pranisë Fenomenologjike në Demencë

1. Abstrakt
Rritja globale e prevalencës së demencës po sfidon në mënyrë thelbësore paradigmat tradicionale të kujdesit, të cilat historikisht janë përqendruar në menaxhimin e simptomave kognitive, ruajtjen e funksioneve të përditshme dhe validimin e kujtesës si bosht i identitetit personal. Megjithatë, literatura bashkëkohore në etikën e kujdesit dhe filozofinë e personit argumenton se reduktimi i kujdesit në funksionalitet klinik rrezikon të neglizhojë dimensionet ekzistenciale, relacionale dhe simbolike të jetës njerëzore (p.sh. Tom Kitwood; Paul Ricoeur).


Ky studim paraqet një analizë krahasuese teoriko-konceptuale të dy modeleve inovative të kujdesit për personat me demencë: Modelin LIDASHI (Leadership–Dignity–Sharing) dhe modelin poetiko-filozofik “Mirazhi i Identitetit të Heshtur”. Qasja metodologjike bazohet në analizë cilësore të literaturës, interpretim fenomenologjik dhe reflektim kritik mbi praktikat e kujdesit afatgjatë.


Modeli LIDASHI ndërtohet mbi teoritë e lidershipit etik dhe kujdesit të përqendruar te personi, duke e konceptuar dinjitetin si kategori themelore morale dhe marrëdhënien e kujdesit si hapësirë bashkë-ndarjeje përvojash. Ai rezonon me qasjet që theksojnë personhood-in, agjencinë e mbetur dhe rëndësinë e marrëdhënieve reciproke në ruajtjen e identitetit përtej rënies kognitive. Ky model gjen aplikueshmëri të veçantë në fazat e hershme dhe të ndërmjetme të demencës, ku pjesëmarrja e vetë personit në vendimmarrje mbetet e mundur në forma të ndryshme.


Në kontrast plotësues, “Mirazhi i Identitetit të Heshtur” mbështetet në filozofinë e identitetit narrativ të Paul Ricoeur dhe në qasjet estetike e poetike ndaj kujdesit të zhvilluara nga autorë si Anne Basting dhe Giovanni Stanghellini. Ky model e zhvendos theksin nga rikuperimi i së kaluarës drejt krijimit të përvojave të reja kuptimplotë në të tashmen, përmes ndërveprimeve multisensoriale, ritualeve simbolike dhe “artit të pranisë”. Ai ofron një kornizë veçanërisht të vlefshme për fazat e avancuara të demencës, ku komunikimi verbal dhe kujtesa autobiografike janë të kufizuara, por rezonanca emocionale dhe ndjesore mbetet thelbësore.


Studimi argumenton se këto dy modele nuk përfaqësojnë alternativa konkurruese, por dimensione komplementare të një paradigme të re të kujdesit. Integrimi i tyre kontribuon në ndërtimin e një ekologjie të zgjeruar të kujdesit, ku etikja e lidershipit, dinjiteti relacional dhe estetika e përvojës bashkëjetojnë për të mbështetur identitetin e personit me demencë në të gjitha fazat e sëmundjes. Duke kapërcyer ndarjen tradicionale midis qasjeve klinike dhe atyre humaniste, ky integrim ofron një kornizë që adreson një boshllëk të rëndësishëm në teorinë bashkëkohore të kujdesit ndaj demencës.
Ky kuadër teorik ofron implikime të rëndësishme për praktikën e kujdesit afatgjatë, për formimin profesional të përkujdesësve dhe për zhvillimin e politikave shëndetësore më të ndjeshme ndaj kompleksitetit të përvojës njerëzore në demencë.

Enkas për helveticALforum.ch

Studimi i prezantuar në këtë artikull, i botuar në mënyrë të veçantë në gjuhën shqipe për lexuesit e helveticAlforum.ch, sugjeron se kujdesi për personat me demencë nuk mund të kufizohet vetëm në menaxhimin e simptomave kognitive apo funksionalitetit të përditshëm. Integrimi i dy modeleve inovative – LIDASHI dhe “Mirazhi i Identitetit të Heshtur” – ofron një kornizë holistike ku etikja e lidershipit, dinjiteti relacional dhe estetika e përvojës bashkëjetojnë.

Ky kombinim mund të ruajë dhe të pasurojë identitetin e personit në të gjitha fazat e demencës, duke përmbushur nevojat emocionale, simbolike dhe ekzistenciale që shpesh neglizhohen në praktikën tradicionale. Implementimi i këtij kuadri ka implikime të rëndësishme për formimin profesional të përkujdesësve, politikëbërjen shëndetësore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për personat me demencë. / Nga D.H )

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme