Përgatiti D.H
Shefi i Misionit të Republikës së Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, Prof. Dr. Vehbi Miftari, po vijon një agjendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues diplomatikë dhe miq të Kosovës në Vatikan. Siç mëson helveticALforum.ch, një nga takimet e fundit të realizuara ishte ai me ambasadorin e Gjermanisë në Selinë e Shenjtë, Bruno Kahl.
Në këtë takim, u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe roli i rëndësishëm që Berlini ka luajtur historikisht në mbështetje të popullit dhe shtetit të Kosovës.
“Gjermania është vend mik e aleat i Republikës së Kosovës, djep i filozofisë, atdheu i shumë shkrimtarëve të shquar e i shumë lëvizjeve kulturore; vend i fuqishëm europian, i përkushtuar ndaj integrimeve e politikave të përbashkëta europiane; mikëpritëse e një numri të madh të qytetarëve tanë, të cilët, në ditë të errëta për Kosovën, në shtetin gjerman gjetën jo vetëm strehë, por edhe ngrohtësi”, është shprehur Prof. Dr. Miftari.
Gjatë bisedës me ambasadorin Kahl, palët evokuan historinë e raporteve të shkëlqyera dypalëshe, kontributin historik të popujve respektivë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në funksion të konsolidimit të paqes në botë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu thellimit të marrëdhënieve ndërmjet misioneve diplomatike pranë Selisë së Shenjtë dhe bashkërendimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Takime të tilla, sipas burimeve diplomatike, dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të Misionit të Kosovës në Vatikan për forcimin e miqësive ndërkombëtare dhe për thellimin e bashkëpunimit me shtetet partnere, në shërbim të paqes, dialogut dhe integrimit evropian.
Diplomacia kosovare pranë Selisë së Shenjtë po dëshmon kështu një prani aktive dhe konstruktive, duke kultivuar marrëdhënie me vende kyçe të Bashkimit Evropian dhe më gjerë./ helveticALforum.ch




