Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Komonuelthit të Australisë, Sam Mostyn, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në letrën e saj, Guvernatorja Mostyn ka përgëzuar Presidenten Osmani për lidershipin e saj në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS) në Kosovë. Ajo ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së plotë të grave në proceset e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes, duke e cilësuar atë si një faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon.
Guvernatorja Mostyn ka shprehur gjithashtu besimin e saj se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Australisë do të vazhdojnë të forcohen dhe të zgjerohen gjatë vitit në vijim. Ajo ka theksuar mundësitë e reja për bashkëpunim dhe partneritet në fusha me interes të përbashkët, duke hapur rrugë për projekte të reja dhe nisma të përbashkëta.
Ky urim i veçantë vjen si një njohje ndërkombëtare për përpjekjet e Presidentes Osmani në promovimin e barazisë gjinore, forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e agjendës për paqe dhe siguri në Kosovë, transmeton rtk.




