Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim të veçantë futbollistët e Kombëtares së Kosovës, duke i vlerësuar ata për kontributin dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Gjatë ceremonisë, presidentja ka dekoruar lojtarët si shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe sukseset e arritura. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Federata e Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe trajneri i përfaqësueses, Franco Foda.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se, pavarësisht rezultateve në fushë, krenaria që futbollistët i kanë dhënë vendit është e jashtëzakonshme dhe e papërshkrueshme.
“Krenaria që na keni dhënë nuk mund të matet as me fjalë, as me dekorata apo nderime,” u shpreh ajo.
Presidentja shtoi se kjo është vetëm fillimi i një rruge të suksesshme për Kombëtaren, duke theksuar se në të ardhmen priten arritje edhe më të mëdha.
Ajo vlerësoi gjithashtu reagimet pozitive që ekipi ka marrë, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe brenda vendit, duke i cilësuar futbollistët si “befasia më e bukur” e këtyre kualifikimeve.
Takimi u përmbyll me mesazhe inkurajuese për vazhdimin e punës dhe përkushtimit, me synimin për të ngritur edhe më lart emrin e Kosovës në futbollin ndërkombëtar, transmeton rtk.




