Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti znj. Leyla Aliyeva, Zëvendëspresidente e Fondacionit “Heydar Aliyev”, e cila ndodhet në Tiranë për çeljen e ekspozitës “Mother nature”.
Kreu i Shtetit theksoi se marrëdhëniet Shqipëri – Azerbajxhan janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, duke u mbështetur në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e energjisë, si edhe në atë kulturore dhe humanitare.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për veprimtarinë e Fondacionit “Heydar Aliyev” në projekte me ndikim social, duke vlerësuar kontributet në shëndetësi, kulturë, mjedis, arsim dhe fusha të tjera me interes publik. Gjithashtu, vlerësoi profilin e znj. Aliyeva dhe angazhimin e saj në nisma që nxisin ndërgjegjësimin shoqëror, dialogun kulturor dhe veprimin për mjedisin.
Në vijim, Kreu i Shtetit nënvizoi interesin për të thelluar bashkëpunimin me Fondacionin “Heydar Aliyev”, duke shprehur gatishmërinë për projekte konkrete në fusha, si: kultura, turizmi shëndetësia, ambienti, edukimi dhe çështjet humanitare.
Presidenti Begaj theksoi se Institucioni i Presidentit është i gatshëm të ofrojë mbështetje të plotë për nisma të përbashkëta që do t’i shërbejnë afrimit të mëtejshëm të dy vendeve dhe popujve tanë, transmeton rtsh.




