
Përgatiti Dashnim HEBIBI, Zürich
Një festival, një themelues, një trashëgimi: Agron Boriçi dhe Komedia Shqiptare
Preshevë, 15 dhjetor – Presheva, trevë e njohur ndër dekada si vatër e akademikëve, artistëve, bamirësve dhe atdhetarëve, edhe sivjet po dëshmon se arti skenik mbetet një nga shtyllat më të forta të jetës kulturore shqiptare. Qyteti po mirëpret publikun artdashës dhe mërgatën shqiptare me një sërë aktivitetesh kulturore që argëtojnë, bashkojnë dhe ruajnë identitetin përmes humorit dhe komedisë shqiptare.
Ka nisur edicioni i 20-të, jubilar, i manifestimit kulturor “Ditët e Komedisë Shqiptare”, një ngjarje tashmë tradicionale që prej dy dekadash është shndërruar në simbol të jetës kulturore të Preshevës dhe mbarë Luginës. Ky edicion do të zgjasë gjashtë net radhazi, duke sjellë në skenë shfaqje komedie nga teatro të njohura shqiptare.
Në kuadër të festivalit marrin pjesë teatro nga Tirana, Gostivari, Gjilani, Tetova dhe Presheva, duke krijuar një mozaik të pasur artistik dhe duke forcuar bashkëpunimin kulturor ndërmjet trevave shqiptare, përtej kufijve administrativë.
“Ditët e Komedisë Shqiptare” mbeten një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Preshevë, që promovojnë teatrin shqiptar, krijojnë ura komunikimi mes artistëve dhe publikut dhe dëshmojnë se arti është një forcë e fuqishme bashkuese dhe rezistuese në kushte shpesh të vështira shoqërore e politike.

Në këtë ngjarje të madhe kulturore, aktorja dhe regjisorja Afeida Boriçi-Memeti, e cila jeton dhe vepron në Preshevë, ka ftuar edhe përfaqësues nga qendra mediale helveticALforum.ch, duke treguar se rëndësia e këtij manifestimi shtrihet jo vetëm në nivel lokal, por edhe tek mërgata shqiptare, e cila e ndjek dhe e mbështet vazhdimisht jetën kulturore në vendlindje.
Ikona e kulturës skenike – Agron Boriçi

Në këtë përvjetor jubilar nuk duhet dhe nuk mund të harrohet ikona e kulturës skenike shqiptare në Preshevë, Agron Boriçi. Me mbi katër dekada veprimtari artistike, si regjisor, skenarist dhe aktor, ai ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore të kësaj treve.
Agron Boriçi ka inskenuar 30 drama të gjinive të ndryshme, ka përgatitur 8 recitale skenike, ka realizuar 2 filma dokumentarë, si dhe ka shkruar e inskenuar mbi 50 skeçe humoristike. Është autor i dramave “Aga Ymeri”, “Kalorësi i Apokalipsës”, “Berberhonja”, si dhe i tri pjesëve të “Kabare TV Llaçka”, që mbeten pjesë e kujtesës kolektive artistike të Preshevës.
Ai është gjithashtu njëri ndër themeluesit e festivalit tradicional “Ditët e Komedisë Shqiptare” në vitin 1994, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen dhe mbijetesën e këtij manifestimi në rrethana aspak të lehta. Përveç angazhimit skenik, Agron Boriçi është edhe autor i librit “Sherri i Preshevës në derë të Stambollit”.
Puna dhe përkushtimi i tij janë vlerësuar me çmime të shumta, ndër të cilat veçohen: dy çmime për regjinë më të mirë, tri çmime për aktrim dhe një çmim për tekstin më të mirë.
Do të ishte nder dhe obligim moral që në kuadër të këtij festivali, tashmë tradicional, të themelohet dhe të ndahet çdo vit një çmim me emrin “Agron Boriçi”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë për teatrin dhe kulturën shqiptare në Preshevë dhe më gjerë.
Shpresa mbetet që, qoftë edhe me vonesë, kjo figurë e madhe e artit të nderohet ashtu siç e meriton – jo vetëm nga komuniteti lokal, por edhe nga dy shtetet shqiptare, sepse veprimtaria kulturore në një vend të vogël, me zemër të madhe, por pa mbështetje të mjaftueshme financiare dhe në rrethana të vështira historike e politike, ka kërkuar sakrificë të jashtëzakonshme.
Siç thotë populli: më mirë vonë se sa kurrë.
Presheva, edhe një herë, dëshmon se arti mbetet një nga format më të fuqishme të bashkimit, ruajtjes së identitetit dhe gjallërimit të jetës kulturore shqiptare. /helveticALforum.ch




