POSTIMET E FUNDIT

Portreti i Gustav Klimt shitet 236 milionë $

Një pikturë e Gustav Klimt u shit mbrëmë për 236,4 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri për artin modern, raportoi AP.

Portreti “Elisabeth Lederer”, i realizuar nga Klimt, u shit në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork pas një gare ofertash që zgjati rreth 20 minuta.

Tabloja, 1.8 metra e lartë dhe e pikturuar midis viteve 1914-1916, paraqet vajzën e një familjeje aristokrate vjeneze, e veshur me një mantel të frymëzuar nga perandoria e Azisë Lindore.

Në këtë vepër shumëngjyrëshe pasqyrohet jeta e pasur e familjes Lederer, pak përpara se Austria të aneksohej nga Gjermania naziste në vitin 1938.

Sipas Galerisë Kombëtare të Kanadasë, ku piktura ishte huazuar, nazistët konfiskuan koleksionin e artit të familjes, duke lënë vetëm portretet, të cilat i konsideruan “tepër hebraike” për t’u marrë.

Për të shpëtuar jetën e saj, Elisabeth Lederer trilloi një histori se Klimt, i cili nuk ishte hebre dhe kishte vdekur në vitin 1918 – ishte babai i saj. Me ndërmjetësinë e ish-kunatit, një funksionar i lartë nazist, ajo arriti të sigurojë një dokument që deklaronte këtë gënjeshtër, gjë që i mundësoi të qëndronte e sigurt në Vjenë deri në vdekjen e saj nga një sëmundje në vitin 1944.

Portreti bënte pjesë në koleksionin e miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtar i “The Estée Lauder Companies”, i cili u nda nga jeta këtë vit në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një koleksion arti që kap vlerën e mbi 400 milionë dollarëve.

Sotheby’s nuk bëri të ditur identitetin e blerësit.

Me këtë shitje, u thye rekordi i mëparshëm i artit të shekullit XX, i mbajtur nga portreti i Marilyn Monroe i krijuar nga Andy Warhol, i cili ishte shitur për 195 milionë dollarë në vitin 2022.

Sotheby’s njoftoi gjithashtu se pesë vepra të Klimt nga koleksioni i Lauder u shitën për një total prej 392 milionë dollarësh. Ndër më të kërkuarat në ankand ishin edhe vepra të Vincent van Gogh, Henri Matisse dhe Edvard Munch, transmeton bweb.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB