Nga: Meti Krasniqi, Zvicër
Politikanët duhet ta kuptojnë qartë dhe pa ekuivok: gjykata më e fortë në një shtet demokratik nuk është as parlamenti, as qeveria, as institucionet formale – është populli, janë qytetarët. Ata janë arbitri final i çdo veprimi politik, i çdo vendimi dhe i çdo premtimi të dhënë para zgjedhjeve.
Çdo politikan gjykohet çdo ditë nga qytetari i zakonshëm. Ky gjykim nuk ka nevojë për dosje voluminoze, për arsyetime të gjata apo për propagandë të sofistikuar. Qytetari e sheh realitetin drejtpërdrejt: a u realizua premtimi, a u përmirësua jeta, a u krijua drejtësi, a u ndërtua e ardhmja. Në fund të këtij procesi, verdikti jepet me votë – mjeti më i fuqishëm demokratik që ekziston.
Por përgjegjësia nuk bie vetëm mbi politikanët. Edhe qytetarët kanë barrën e tyre historike dhe morale. Demokracia nuk funksionon me qytetarë pasivë, të lodhur apo të zhgënjyer që dorëzohen përballë politikës. Ajo kërkon qytetarë të ashpër, kërkues dhe kritikë, qytetarë që nuk mashtrohen lehtë dhe nuk mjaftohen me fjalë boshe.
Këtu nuk bëhet fjalë për dashuri ndaj një individi apo për besnikëri verbale ndaj një partie. Bëhet fjalë për mirëqenien personale, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për zhvillimin ekonomik, institucional dhe shoqëror të shtetit. Politikanët nuk janë idhuj për t’u përkëdhelur, por shërbyes publikë që duhet të mbikëqyren vazhdimisht.
Çdo premtim duhet të mbahet mend. Çdo projekt duhet të ndiqet. Çdo vendim që prek jetën e përditshme të qytetarit duhet të analizohen dhe të vlerësohen me përgjegjësi. Vetëm duke kërkuar llogari në mënyrë të vazhdueshme, politika mund të shndërrohet nga privilegj personal në shërbim publik.
Sot, qytetari është më i informuar se kurrë më parë. Informacioni është i qasshëm, burimet janë të shumta dhe e vërteta është më e vështirë të fshihet. Kjo forcë nuk duhet shpërdoruar. Heshtja, indiferenca dhe tolerimi i gabimeve nuk sjellin zhvillim. Përkundrazi, ato e ushqejnë keqqeverisjen. Ajo që sjell progres është kërkesa për përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.
Në një shtet që synon zhvillim të qëndrueshëm, politikanët duhet të kenë frikë nga mosrealizimi i premtimeve të tyre, jo qytetarët nga pushteti. Raporti i forcës duhet të jetë i qartë: pushteti buron nga populli dhe i shërben atij, jo anasjelltas.
Vetëm me qytetarë të vetëdijshëm dhe politikanë të përgjegjshëm mund të ndërtohet një shtet funksional dhe një shoqëri e drejtë. Demokracia nuk është dhuratë, por proces i përditshëm që kërkon angazhim, guxim dhe këmbëngulje.
Mos lejo që ty si qytetar të lodh politikani. Përkundrazi, lodhe politikanin me kërkesa, me përgjegjësi dhe me llogaridhënie ndaj teje.
Enkas për helveticALforum.ch




