Nga Shefqet CAKOLLI
15 Janar 2026 – Reçak
Sot, n’Reçak, ajri flet me zë të ulët,
Ai heshtë bashkë me bjeshkët,
Si lutje që nuk do duar, veç zemra.
Guri i ftohtë ruan një ngrohtësi të paimagjinueshme,
Emra që s’janë vetëm emra,
Janë frymë, janë shtëpi, janë dritë e këputur.
N’ kompleks, hapat e mij s’ecën si zakonisht,
Ata dridheshin nga brenda,
Se toka tu ngjitej thembrave,
Çdo hap u bë peshë, u bë kujtim.
Pashë të riun, pashë të vjetrin,
E kuptova se terrori s’pyet moshë,
Por dhimbja… dhimbja i mban të gjithë njësoj,
Në prehërin e heshtjes.
E megjithatë, njeriu mbetet njeri,
Kur di të qajë për tjetrin,
Kur e ndien plagën si të vetën,
Kur s’e lë kujtimin të bëhet pluhur,
Në raftet e harresës.
Reçak, sot të përulem me fjalë,
Siç përkulet një qiri para erës,
Jo se frikësohet,
Por se do të qëndrojë i ndezur.
Le të jetë kjo poezi një dorë e butë,
Një fjalë e heshtur,
Mbi ballin e një kombi të lodhur,
Një “më fal” për çdo vonesë të drejtësisë,
Një “mos u harro” për çdo jetë t’prerë,
Një “kurrë më” që s’është slogan,
Por betim i thellë.
Se ata që ranë,
Nuk janë vetëm të flijuar,
Janë dritë që na vë në provë,
A do ti harrojmë,
A do ti ruajmë n’ kujtimet tona,
A do ta mbajmë të gjallë dhembshurinë,
A do ta kthejmë kujtesën n’drejtësi.
Sot, Reçak,
Të kujtojmë me lot pa sy,
Me zë t’qetë e zemër t’fortë,
Me një premtim, t’vrullëshëm,
Të mos lejojmë që dhimbja jote,
Të mbetet vetëm dhimbje,
Por mësim për njerëzinë.




