Donald Trump konfirmoi se afati i caktuar nga SHBA për Ukrainën është deri të enjten e ardhshme për të pranuar planin me 28 pika për t’i dhënë fund luftës.
“Kisha shumë afate, por nëse gjërat shkojnë mirë, kam tendencë t’i zgjas ato. Por është e enjte”, tha presidenti në një intervistë në radio.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas një telefonate me Zëvendëspresidentin e SHBA-së J.D. Vance tha se “Ukraina do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën në nivel këshillimor për të punuar drejt një plani paqeje për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë”.
“Ne ramë dakord të punojmë me SHBA-në dhe Evropën në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare për ta bërë rrugën drejt paqes vërtet të mundur”, theksoi Zelensky në një postim në X pas telefonatës që zgjati gati një orë.
“Ukraina gjithmonë e ka respektuar dhe vazhdon ta respektojë dëshirën e Presidentit të SHBA, Donald Trump, për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe ne e shohim çdo propozim realist pozitivisht”, theksoi ai.
Sakaq, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka mbështetur planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se ai mund të “përbëjë bazën e një zgjidhjeje përfundimtare paqeje”.
“Është shfaqur një version i ri, në thelb një plan i modernizuar që përbëhet nga 28 pika. Ne e kemi këtë tekst. E morëm përmes kanaleve ekzistuese të ndërveprimit me qeverinë amerikane. Unë besoj se ai mund të shërbejë gjithashtu si bazë për zgjidhjen përfundimtare të paqes”, tha Putin, transmeton rtsh.




