Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar një fitore bindëse 3-0 ndaj Andorrës në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke dhënë sinjale pozitive para sfidave të ardhshme.
“Dardanët” kaluan në epërsi në minutën e 41-të, kur Fisnik Asllani realizoi golin e parë të takimit, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 1-0 në favor të vendasve.
Në fraksionin e dytë të lojës, Përfaqësuesja e Kosovës vazhdoi dominimin dhe e dyfishoi epërsinë në minutën e 51-të. Sulmuesi Albion Rrahmani u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar për 2-0.
Goli i tretë dhe i fundit i takimit erdhi në minutën e 78-të, kur Valmir Matoshi gjeti rrugën e rrjetës për të vulosur fitoren 3-0. Për Matoshin, ky ishte një moment i veçantë, pasi debutoi me gol në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke lënë menjëherë gjurmë me fanellën e Kosovës.
Gjatë gjithë ndeshjes, Përfaqësuesja e Kosovës kontrolloi lojën dhe krijoi raste të shumta shënimi, ndërsa Andorra u fokusua kryesisht në mbrojtje.
Kjo fitore i jep Kosovës një shtysë të rëndësishme morale dhe sportive, ndërsa stafi teknik mund të jetë i kënaqur me paraqitjen, organizimin dhe efikasitetin e ekipit në këtë test miqësor, transmeton rtk.




