Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për përballjen e madhe kundër Turqisë, e cila zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të finales së play-off-it për Kupën e Botës 2026.
“Dardanët” do ta zhvillojnë sot seancën e fundit stërvitore, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa para saj, në orën 10:30, është paraparë konferenca për media. Kjo do të jetë mundësia e fundit për përzgjedhësin Franco Foda dhe lojtarët që të japin mesazhet e tyre para ndeshjes vendimtare.
Gjatë stërvitjes së djeshme, përzgjedhësi Foda u fokusua kryesisht në aspektet taktike të lojës, duke punuar intensivisht për përgatitjen sa më të mirë të skuadrës. Atmosfera në kampin e Kosovës raportohet të jetë shumë pozitive, me lojtarët të motivuar maksimalisht për të arritur një rezultat historik. Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se gjithçka po shkon sipas planit dhe ekipi është i gatshëm për sfidën ndaj një kundërshtari të fortë si Turqia. Ndeshja e së martës pritet me interes të madh nga tifozët, pasi një fitore do ta afronte Kosovën drejt një arritjeje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, transmeton rtk.




