5.5 C
Zurich
Friday, January 16, 2026
spot_img
spot_img

“Pema e Jetëve” nuk është vend për shkarravina

Duhet ti lexosh

Nga Shefqet CAKOLLI – President i SH.K.A “Dardania” në Zvicër

Prishtinë, 15 janar 2026 – Gjatë një vizite me shkas në Kompleksin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe Univerzitetit të Prishtinës, u ndala te memoriali “Pema e Jetëve”, i cili ju kushtua personave të zhdukur me forcë si pasojë e luftës fundit në Kosovë (1998–2000). Ky memorial është një simbol i rëndësishëm i kujtesës kolektive: një trung me rrënjë, ku emrat e të zhdukurve janë gdhendur në dru, si dëshmi e një mungese që vazhdon të rëndojë mbi familjet dhe shoqërinë tonë.

Ajo që më la shije të hidhur nuk ishte vetëm pesha e kujtesës që e mbart ky simbol, por pamja e tij e dëmtuar nga shkarravinat, shënimet dhe vizatimet e rastësishme mbi sipërfaqen e memorialit.

Në një hapësirë që duhet të ruajë dinjitetin e viktimave të gjenocidit serb, dhe respektin për të afërmit e tyre, një sjellje e tillë nuk mund të konsiderohet “e pafajshme”.

Ajo i ngjan më shumë një shenje të rrezikshme të mosvetëdijes qytetare dhe mungesës së edukimit për kulturën e kujtesës.

Memorialet nuk janë dekor urban. Ato janë institucione morale. Janë vende ku shoqëria i
përkulet dhimbjes dhe e mban gjallë të vërtetën historike. Kur një memorial përdoret si
“dërrasë shkrimi” për emra privatë, pseudonime, zemra apo shenja spontane, atëherë preket jo vetëm pamja e tij, por domethënia: përkthimi i kujtesës në përgjegjësi.

Pyetja që imponon kjo pamje është e thjeshtë dhe e drejtë:

A jemi të vetëdijshëm sa duhet për respektin që u detyrohemi viktimave të luftës dhe familjeve që ende presin përgjigje? Sepse të zhdukurit nuk janë statistikë; janë jetë të ndërprera, prindër, bij e bija, fate të mbetura pezull.

Kur nderimi për ta bie në nivelin e pakujdesisë, shoqëria humb nga brenda. Për këtë arsye, kërkohet reagim institucional dhe qytetar: mirëmbajtje e rregullt e memorialit, masa parandaluese (shenja informuese të qarta, sensibilizim publik), si dhe një qasje edukative që e vendos respektin për kujtesën në qendër të qytetarisë. Kjo nuk është çështje estetike, por dinjiteti, për gjithë të zhdukurit që as so e kësaj dite nuk jane gjetur. Dinjiteti i viktimave nuk mbrohet vetëm me ceremoni përvjetorësh; mbrohet edhe me sjellje të përditshme. “Pema e Jetëve” duhet të mbetet vend nderimi, jo hapësirë shkarravinash. Sepse një shoqëri që e mbron kujtesën, e mbron edhe të ardhmen.

Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme