Pasaporta e Maqedonisë së Veriut renditet e 41-ta në listën e pasaportave më të fuqishme në botë, sipas rang listës të publikuar nga faqja “Henley & Partners”. Ky është një avancim për pasaportën e vendit tonë, krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte renditur në vendin e 45-të në këtë listë. Me pasaportën maqedonase mund të udhëtohet pa vizë në 129 destinacione në mbarë botën. Pozita më e lartë e pasaportës Maqedonisë së Veriut në këtë listë ka qenë në vitin 2014, kur renditej e 36-ta.
Në Ballkan, pasaportën më të fuqishme e ka Kroacia, e cila renditet ndër vendet më të larta globalisht, me qasje pa vizë në 184 destinacione. Serbia ndodhet në vendin e 35-të me 137 destinacione të aksesueshme pa vizë, ndërsa Mali i Zi renditet i 42-ti me 128 destinacione. Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina ndajnë vendin e 45-të dhe 46-të, me qasje në 123 dhe 122 destinacione përkatësisht, ndërsa Kosova ka renditjen më të ulët në rajon, në vendin e 63-të, me 81 destinacione pa vizë. Ndër vendet më të fuqishme globalisht, kryeson Singapori me akses pa vizë në 193 destinacione, i ndjekur nga Koreja e Jugut dhe Japoni, me 190 dhe 189 destinacione respektivisht. Pasaportat e vendeve evropiane si Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Zvicra renditen gjithashtu në krye të listës, duke u lejuar qytetarëve të tyre lëvizje të gjerë pa vizë në mbarë botën. /BS




