POSTIMET E FUNDIT

Partitë pa ujdi për presidentin, Kosova drejt zgjedhjeve të reja

Tre subjektet kryesore politike në Kosovë duket se janë larg arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e presidentit, duke bërë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Kjo pasi, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, dështuan që të arrinin një marrëveshje të hënën, ndërkaq disa orë më vonë, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, tha se e konsideron “të përmbyllur” kontributin e saj sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.

PDK tha se gjatë ditës e ka pranuar një ofertë nga LVV-ja për presidentin, por kreu i kësaj partie, Bedri Hamza, e vlerësoi si “joserioze”.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjedhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja.

Dhe teksa ky afat po shkon drejt fundit, njohës të zhvillimeve politike thonë se partia në pushtet nuk po dëshiron zgjidhje, ndërkaq ato opozitare nuk i dëshirojnë zgjedhjet, por as “t’i nënshtrohen” LVV-së së Albin Kurtit.

Takimi Kurti-Abdixhiku përfundon pa marrëveshje

Pas takimit të zhvilluar më herët gjatë ditës, udhëheqësi i LVV-së, kryeministri Albin Kurti, tha për mediat se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i pranoi ofertat e tij për një marrëveshje dhe tregoi se ai tashmë i ka shkruar liderit të partisë kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për një takim të mundshëm.

“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, tha Kurti duke paralajmëruar se vendi rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 28 prill.

Ai tha se ia ofroi LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera.

Në një ofertë tjetër, Kurti tha se ia ofroi LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, theksoi Kurti.

Ndërkohë, Abdixhiku theksoi se nuk do të takohet më me Kurtin pas dështimit të bisedimeve.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij, që një parti nuk mund t’i udhëheqë tre institucionet kryesore në vend: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej partisë së tij.

Kurti, në anën tjetër, nguli këmbë se nuk dëshiron që partia e tij t’i udhëheqë tri institucionet kryesore të vendit.

Ndërkohë, i pyetur nëse ka një përafrim mes LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilës i skadoi mandati më 4 prill, Abdixhiku ka deklaruar se diçka e tillë do të ishte lajm i mirë edhe për Kosovën edhe për LDK-në.

“Është qëllimi im dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”.

PDK-ja e konsideron “të përmbyllur” kontributin e saj për çështjen e presidentit

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues partiak, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha për mediat se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një ofertë në WhatsApp, por shtoi se nuk ka pranuar ftesë zyrtare për takim.

“Oferta është kjo, që deputetët e partisë e PDK-së të qëndrojnë në sallë, të votojnë dhe si rezultat i kësaj, PDK-së i ofrohet posti i kryetarit të Kuvendit me një lloj ndryshimi, që LVV-së t’i kalohet pozita e nënkryetarit të Kuvendit që aktualisht e ka PDK. E para kjo nuk është serioze, sepse kryesia e Kuvendit është e konstituuar”, tha Hamza, duke shtuar se përveç që sipas tij një ofertë e tillë nuk është serioze, nul është “as kushtetuese”.

Hamza tha se qëndrimi i tyre ka qenë që presidenti të propozohet nga PDK-ja, por jo dikush që domosdo do të ishte pjesë e strukturave partiake.

Kurti, pas takimit me Abdixhikun deklaroi se i ka dërguar ftesë PDK-së për takim. Kur u pyet nëse do t’i bënte ndonjë ofertë të ngjashme edhe PDK-së, Kurti nuk deshi të tregojë, por shtoi se “oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”.

Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.

Ai e përsëriti këtë edhe të hënën, duke thënë: “PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë”.

Ndërkaq, PDK përmes një njoftimi tha ka dëshmuar “gatishmëri” për të kontribuuar për zgjedhjen e një presidenti të ri, pasi ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i përfundoi mandati pesëvjeçar më 4 prill.

PDK tha se ka mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, “pa asnjë kushtëzim” apo përfshirje në bashkëqeverisje.

“Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur”, u tha në njoftim.

Në mbledhjen e së hënës, PDK miratoi një deklaratë politike, ku tha se vendi po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale “të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror”.

Arifi: LVV nuk po dëshiron zgjidhje

Për dështimin e bisedimeve LVV-LDK për çështjen e presidentit, politologu Dritëo Arifi ia vë fajin partisë në pushtet.

Sipas tij, problemeve duhet dhënë zgjidhje dhe drejtim.

“Në këtë rast, sidomos partia në pushtet nuk po dëshiron drejtim të saktë, dëshiron një mënyrë që të viktimizohet, që kinse janë të tjerët që nuk po i lënë hapësirë që të punojë. Që një vit e gjysmë jemi pak a shumë në këtë krizë, ku partia e parë nuk po dëshiron zgjidhje, por në njëfarë mënyrë po dëshiron kapje dhe nënshtrim të çdo gjëje që ekziston në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, një qasje e tillë i dëmton të gjithë, veçmas LVV-në, duke paralajmëruar se partia e Kurtit mund të humbasë besimin e qytetarëve “nëse vazhdon që të ankohet rregullisht, vazhdimisht dhe për çdo gjë”.

I pyetur se a mendon se ka gjasa për një marrëveshje mes LVV-së dhe PDK-së, Arifi shprehet skeptik, por thotë se gjërat mund të lëvizin në moment të fundit.

Ai thotë se opozita nuk dëshiron zgjedhjet, por “as nënshtrim”.

“Mendoj që partitë opozitare edhe nuk po kanë dëshirë që të shkojnë në zgjedhje, por nuk po duan që të nënshtrohen brutalisht. Në njëfarë forme nuk po shoh marrëveshje normale”, thotë Arifi.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit. / REL/BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB