Nga Behar Gjoka
Historia e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e vështruar në diakroni dhe sinkroni, gjithnjë e më shpesh, shpërfaqet si një paradoks ekzistencial. Në kohët moderne shndërrohet në një absurd, ku kohët dhe hapësirat përplasen dhe, vihen në një betejë të pamatshme. Nëpër rrjedhat kohore dhe hapësinore, vihet re se:
A – Etërit e gjuhës shqipe të shkruar, Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, edhe pse në pamundësi komunikimi, megjithatë me librat e shkruar, krijuan hallkat e një zinxhiri të pakëputun, që vuri në udhën e mbrodhësisë lavrimin e gjuhës shqipe.
B – Etërit e letërsisë dhe të kombit, në periudhën e romantizmit, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, At Gjergj Fishta, edhe pse në mes tyre, nuk patën kontakte të afërta, me kaq shumë mund dhe sakrifica, arritën që të ngrenë themelet e një letërsie të vlertë, që ka shërbyer si themel i ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, në periudhat e mëvonshme.
C – Etrit e shenjave estetike moderne, të pjesës së parë të shekullit të njëzet, Poradeci, Koliqi, Kuteli, nuk reshtën për një çast së vlerësuari të tjerët. Në atë kohë, Poradeci shpallte patriark të letërsisë shqipe At Fishtën, Koliqi udhëhiqte Migjenin, kah rrjedhat letrare, e Kuteli botonte Poradecin e Nolin…
Të treja këto periudha letrare, që limojnë gjuhën shqipe, si gjuhë e letërsisë, projektuan dhe selitën një lidhje dhe marrëdhënie organike, në mes kohës dhe hapësirave ku shkruhej gjuha shqipe, ndonëse në një pjesë të konsiderueshme, pothuajse ishte e pamundur të kishte kontakte, si dhe të komunikonin autorët dhe tekstet e shkruara.
Kur pritej zgjerimi i komunikimit, thellimi i shkëmbimit të përvojave, fill pas viteve 44 të shekullit të kaluar, për shkak të ideologjisë komuniste, e sidomos të vendosjes në jetën letrare dhe artistike të realizmit socialist, nisi paradoksi i madh, ku ca shkrimtarë dolën tepër, ca të tjerë shkëlqyen që në shfaqjen e tyre të parë. Të tjerë, atyre që nuk e deshën dhe e refuzuan realizmin socialsit dhe ideologjinë e monizmit, nuk u dihej as emri. Në skenën letrare mbeti Naimi, Mjeda, Migjeni, mirëpo iku se i përzunë Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi, Santori. Hynë në skenë Agolli, Kadare, Arapi, Qosja, Shkreli, Podrimja, e në të njëtën kohë, megjithëse bashkëkohorë me të parët, pak arrinin të dinin për Pipën, Camajn, Trebeshinën, Pashkun, Rreshpen. Pjesa më e madhe e tyre, gdhendën tiparet e romanit, eposit modern, por sërish hartografia është e mangët, edhe në këtë tipologji që ka mbizotëruar skenën letrare, sepse përsëri na dalin shkrimtarë tepër! Kohë paradoksesh që end vonesa dhe reminishenca, ku kohët e reja, gati e kanë ndërprerë komunikimin dhe, duket sikur ia kanë mësyer betejës së fundit, për të shkatërruar, ca pak ngrehina, që ende kanë mbetur në këmbë, në lavrimin e letërsisë.
Liria e shprehjes, me ardhjen e demokracisë, së brishtë dhe të sakatuar, nuk solli lirinë e kaq pritur. Përsëri, në kohën e lirisë së shprehjes, garantuar me ligj, në kohën kur dënohet censura, në kohën kur gojëçorapet e shtuar motive të fundit, nuk lënë kusur, pa lëshuar në media, sërish na dalin shkrimtarët mangut ose tepër. Në këtë kohë të zgjerimit të komunikimit, të automatizimit të qenies dhe të jetës, në fillin përbashkues të fatit të qenies arbënore, në gjuhë dhe letërsi, si mendësi jemi më larg se atëherë kur ishim shumë larg, për shkak të rrethanave të vështirësive të komunikimit, që thurim ndërmjet vedit. Tani gjuhëtarët, jo të nivelit të Çabejt dhe Rizës, më shumë merren me shqyrtimin e letërsisë. Sa ironike, akademikë që moderojnë një mbrëmje letrare! Studiuesit e letërsisë, në bashkëkohësi, ngase i thanë të gjitha, ia kanë mësyer politikës, kush të dalë në krye. Kështu bëri Rugova, Qosja, Hamiti etj… Në këtë nahinë tonë, bjerrakohëse dhe të nginjur në llafollogjema mburrëtoresh, politikanët ligjërojnë si me qenë “akademikër”, madje pa ua kërkuar kush, e akademikët ngrefosen si kaposha, ma zi se politikanët.
Askush nuk merret me punën që ka nën përgjegjësi dhe për të cilën paguhet. Të gjithë, politikanë, oponionistër, akademikë me libra të kohës së Baba Qemos, janë vënë në garë, se kush të zërë vendin e parë në lëmë të gjuhës, letërsisë, albanologjisë. Tirana kërkon të mund me çdo kusht Prishtinën. Prishtina, me goditje nën brez, lëshohet kundër arbëreshëve, Këta të fundit, si të paskëshin shpikur mrekullinë e tetë, janë kundër të gjithëve. Piemontet e Tiranës, Prishtinës, Tetovës, të Arbëreshëve, kacavarren se kush të jetë në krye të podiumeve, të përvjetorëve, ku lëshohen flakadanët e përmallimit… Po të shohësh më me kujdes, segmente dhe persona të caktuar, të këtyre piemonteve, mblidhen në Tiranë, për ta mbajtur ndezur betejën absurde në mes këtyre piemonteve… Eh, gjuha shqipe, letërsia, ishte më pranë dikur, kur ishte e vështirë të kishte kontakte dhe mundësi për ndërlidhje.
Tani që jemi pranë, kaq pranë sa fytyrat rrudhosen nga shkëmbimi i vështrimeve të mllefosura, pushtuar nga ethet “e sundimit” sikur në politikë, se kush të krenarohet me të mbërrimet e mëhallës së vetë. Askush nuk sheh mjerimin ku zhytet secila prej këtyre mëhallave në lamin e të menduarit kritik…Megjithatë, debati për debat, po gadit situatën e mendjeve të hapura, kur shkenca dhe podium, takohen rrallë, sepse tryeza e punës nuk të lë kohë të lire, ndërsa podiumet janë shpikur për të broçkullisur… / GD




