Papa Leone XIV i ka kërkuar Ukrainës dhe Rusisë të gjejnë “guximin” për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës gjatë fjalimit të tij të parë të Krishtlindjeve para turmave në sheshin e Shën Pjetrit, shkruan BBC.
Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve në të gjithë botën gjatë fjalimit të tij ”Urbi et Orbi”, i cili tradicionalisht mbahet nga Papa në Ditën e Krishtlindjeve para besimtarëve të mbledhur në qytetin e Vatikanit.
Duke folur për Ukrainën, Papa tha: “Uroj që zhurma e armëve të ndalet dhe palët e përfshira, me mbështetjen dhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe respektues.”
Lutja e tij vjen ndërsa negociatat e udhëhequra nga SHBA-të për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve vazhdojnë.
SHBA-të kanë kërkuar të ndërmjetësojnë midis Kievit dhe Moskës, ndërsa kërkojnë të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve të pranueshme për të dyja palët, por bisedimet e drejtpërdrejta midis palëve ndërluftuese nuk kanë ndodhur gjatë këtij raundi të fundit të përpjekjeve diplomatike, transmeton rtk.




