POSTIMET E FUNDIT

Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall

Nga Rafaela Prifti

Takimi spontan me çelistin e mirënjohur me origjinë nga Korça, Edison (Edi) Pashko pas koncertit të Filarmonisës së Vjenës në Carnegie Hall ishte një moment personal por jo vetjak. Gjatë dy orëve të programit në sallë ishim përqendruar tek sektori i violave dhe violinçelave duke ndjekur me vëmendje artistin shqiptar. Edi, siç e thërrasin shkurt, është solist në violinçel në Evropë e Azi, dhe pjesëtar i një prej filarmonive më prestigjioze të botës.

Burrë rreth të 50 dhjetave me flokë të zinj dhe mjekër, që kanë nisur të shtrojnë pak bardhësi, Edisoni ka sy të qeshur dhe të butë dhe sapo flet dallohet që e ka ruajtur të pastër të folurën e vendlindjes së tij, Korçës. Me të shkëmbyer fjalët e para, i thamë se “jemi tanët” edhe për nga afërsia e të folmes mes Kolonjës dhe Korçës. Ai rrezaton mirësi dhe thjeshtësi, cilësi të një artisti pa komplekse dhe të një mjeshtri të artit të tij, që përçohet në skenë.

Tek dalja anësore pas koncertit, aty ku zakonisht artistët takohen dhe urohen nga miq e të njohur, prezantimi dhe urimi shqip hapi menjëherë portat e bisedës:

“Po prisnim të takonim këtë vit sepse vjet nuk na eci.”

“Ashtu? Sa vite keni në Amerikë?

“Që nga vitet 90′. Edhe unë aq vite kam në Vienë.”

“Do vijë violinisti Shkelzeni Doli në turneun e arshshëm?”

“Sapo ishim bashkë me Filarmoninë në Azi. Ai nuk erdhi në këtë pjesë të turneut.”

“Në cilat shtete vazhdon tani programi juaj?”

“Washington DC, Boston, Florida.”

“Do kënaqeni atje me mot të ngrohtë.”

Edi Pashko është anëtar i përhershëm i Filarmonisë së Vjenës që nga viti 2013. Programi koncertal në Carnegie Hall, Nju Jork është pjesë e turneut amerikan të përvitshëm të Filarmonisë vjeneze.

Koncerti i së dielës me kryevepra nga kompozitorët Richard Strauss dhe Jean Sibelius, nën drejtimin e dirigjentit nga Latvia Andris Nelsons, konfirmon se suksesi është fryt i një pune titanike dhe një përkushtimi madhor nga artist si Edison Pashko. Përshëndetja erdhi bashkë me një ide për tu parë në Vjenë, që, padyshim do jetësonte një dëshirë shumë-shumë vjeçare për të qenë në Koncertin e Filarmorinisë së Vjenës të vitit te ri në Sallonin e Artë në Musikverein.

Në sfondin e lidhjes trefishe Korçë-Vjenë-Nju Jork ishte krejt e natyrshme të ndieje jehonën e këngëve qytetare korçare të influencuara nga valsi dhe opereta vjeneze, traditën 30 vjeçare të koncerteve të fundivitit Salute to Vienna, krijuar sipas modelit të Musikverein në Nju Jork dhe premierën e Orkestrës Simfonike të Korçës me program të stilit vjenez në fund të dhjetori 2025. Përjetime të tilla, në takimin me artistin shqiptar përcollën fuqinë e muzikës për të krijuar lidhje të menjëhershme dhe për të falur emocione të forta shpirtërore./GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB