Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Washington, D.C., ku po merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook, nga kryeqyteti amerikan, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për paqen dhe sigurinë globale.
“Bashkë me Amerikën dhe aleatë të tjerë – për paqen, për sigurinë, për të ardhmen!”, ka shkruar Osmani.
Gjatë prezantimit të liderëve botërorë pjesëmarrës në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, presidenti Trump e ka falënderuar publikisht presidenten e Kosovës për angazhimin e saj.
“Faleminderit shumë, punë të mirë jeni duke bërë edhe ju”, i është drejtuar Trump presidentes Osmani para të pranishmëve.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum të nivelit të lartë konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në thellimin e rolit të vendit në nismat ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet, transmeton rtk.




