Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet e fundit në vend dhe bashkëpunimin bilateral Kosovë–SHBA.
Sipas njoftimit të Presidencës, në fokus të takimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të vendit në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.
Presidentja Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe mbetet një vendim i drejtë dhe strategjik. Ajo nënvizoi se Kosova beson në lidershipin e Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe shprehu gatishmërinë e vendit për të dhënë një kontribut konkret dhe të përgjegjshëm në iniciativat ndërkombëtare për paqe, stabilitet dhe siguri.
Gjatë takimit, Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh me interes të përbashkët në kuadër të bashkëpunimit bilateral, si dhe për agjendën ndërkombëtare të Presidentes Osmani në muajt në vijim.
Takimi u vlerësua si një dëshmi e vazhdimit të partneritetit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partneritet ky i cilësuar si thelbësor për zhvillimin demokratik dhe stabilitetin afatgjatë të vendit, transmeton rtk.




