Në kuadër të stinës koncertore, Orkestra Simfonike e RTSH-së realizoi një mbrëmje të veçantë muzikore, duke interpretuar disa nga veprat më përfaqësuese të repertorit botëror. Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe me pjesëmarrjen e solistes Ana Kaçinari, koncerti solli një atmosferë të pasur artistike dhe emocionale.
Orkestra u ngjit në skenë duke ofruar për publikun një program të larmishëm, i cili ndërthurte stile dhe periudha të ndryshme të muzikës klasike. Interpretimi nën drejtimin e maestro Krajës krijoi një rrugëtim muzikor që përcolli dinamika, ndjeshmëri dhe finesë artistike.
Mbrëmja nisi me tingujt dramatikë të Giacomo Puccinit, me veprën “La tregenda” nga opera Le Villi, dhe vijoi me ngjyrimet poetike të Ottorino Respighit në “Valle antike”.
Një nga momentet më të spikatura të koncertit u bë interpretimi i veprës së njohur “Rhapsody in Blue” të George Gershwin, ku elementët e xhazit u shkrinë me gjuhën simfonike.
Me interpretimin e saj virtuoz dhe plot ndjeshmëri, solistja Ana Kaçinari i dha mbrëmjes një dimension të veçantë artistik.
Koncerti solli një mbrëmje simfonike që bashkoi emocione, energji dhe interpretim të nivelit të lartë nga Xhilda Kondi, transmeton rtsh.




