Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf pati kënaqësinë të mirëpresë nxënësit e klasëve të 9-ta dhe 10-ta nga shkollat shqipe HSK Sundern, Arnsberg dhe Brilon, në një vizitë edukative me vlera të rëndësishme arsimore dhe shoqërore.
Kjo vizitë u shndërrua në një mundësi të çmuar për afrimin e brezit të ri me institucionet e Republikës së Kosovës, duke i njohur nxënësit nga afër me rolin dhe funksionin e përfaqësimit diplomatik, si dhe me rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Gjatë takimit, nxënësit shfaqën interesim të veçantë për temat e trajtuara, duke parashtruar pyetje të shumta dhe duke u përfshirë aktivisht në diskutime. Ky angazhim dëshmoi nivelin e vetëdijes, kuriozitetin dhe përkushtimin e tyre ndaj çështjeve kombëtare dhe arsimore.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohjen e saj për mësuesit, nxënësit dhe prindërit për përkushtimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se mbështetja e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe e shkollave shqipe në diasporë mbetet një prioritet i qëndrueshëm institucional.

Në përfundim, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf rithekson përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj brezit të ri, arsimit në gjuhën shqipe dhe forcimit të lidhjeve me komunitetin shqiptar në diasporë, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe vlerave kulturore shqiptare, njofton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, transmeton helveticALforum.ch




