Nga Shefqet CAKOLLI, Zvicër
U bë një vit që ike,
por jo një vit që u shuaje.
Sepse burrat si ti, nuk treten në dhe,
ata mbeten në fjalën që lanë pas,
në heshtjen që peshonte më shumë se zhurma, në besën që nuk thyhej.
Ishe gur themeli,
i palëkundur nga erërat e kohës.
Nuk e more askënd nëpër gojë,
sepse zemra jote ishte më e madhe se gjykimi.
Fjalët i kurseje, nderin e ruaje.
Në sytë e tu digjej atdheu, një zjarr i qetë,
që nuk bënte flakë për t’u dukur,
por për të ngrohur ndërgjegjen.
Të brengoste fati i tokës,
e peshoje kohën si barrë mbi supe,
dhe gjithmonë qëndroje drejt,
si lis që nuk përkulet, veç para Zotit.
Sot, një vit pa frymën tënde,
tryeza ka një vend bosh,
por ajri është ende plot me praninë tënde.
Sepse burrat e besës
nuk vdesin, ata bëhen histori e heshtur,
që rreh në gjakun e brezave.
Pushofsh në paqe, baballak.
Një vit në amshim,
por përjetësisht në nderin tonë.
2 mars 2026




