8.9 C
Zurich
Saturday, December 6, 2025
spot_img
spot_img

Një Natë Bujarie që Forcoi Themelet tona – Falënderim i Përzemërt për Komunitetin

Duhet ti lexosh

Nga Fehim ABAZI, Imam -Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë

FALËNDERIM PUBLIK

Të dashur vëllezër dhe motra,

Të nderuar anëtarë të Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.

Fillimisht më lejoni t’ju përshëndes me përshëndetjen e banorëve të Xhenetit:

Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!

Në fillim, para çdo fjale dhe para çdo falënderimi njerëzor, e falënderojmë Allahun Fuqiplotë për të mirat e Tij të panumërta, të dukshme dhe të padukshme, për begatitë shpirtërore e materiale që na i ka dhuruar dhe për mundësinë që na dha t’i realizojmë ëndrrat tona përmes sakrificës, unitetit dhe besimit.

Në emrin tim, të kryetarit e kryesisë dhe tuaj, shfrytëzojmë këtë rast për të shprehur publikisht falënderimin dhe mirënjohjen tonë më të sinqertë për shtetin zviceran – këtë vend që na ka ofruar siguri, stabilitet, punë të ndershme dhe kushte dinjitoze për të ndërtuar jetën tonë familjare, profesionale dhe fetare.

Allahu i Madhëruar thotë:

لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ

“Nëse falënderoni, Unë do t’jua shtoj mirësitë.”

Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Kush nuk e falënderon njeriun, nuk e ka falënderuar as Allahun.”

Ndërsa Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe thuaj: Punoni, sepse punën tuaj do ta shohë Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët.”

Këto fjalë hyjnore na mësojnë se mirënjohja është ndër themelet më të forta të besimit.

Falënderim për mbrëmjen e solidaritetit të 1 Nëntor 2025

Në cilësinë time si imam dhe në emër të kryesisë së Qendrës, ndjej detyrimin moral dhe fetar t’ju drejtohem me këtë falënderim të përzemërt për emocionet, solidaritetin dhe bujarinë e jashtëzakonshme që dëshmuat të shtunën mbrëma, më 1 Nëntor 2025, në mbrëmjen e madhe të dedikuar blerjes së objektit të ri të Qendrës sonë.

Në këtë natë u tubuan mbi 1 milion franga zvicerane, një shumë e cila jo vetëm na gëzoi, por na dëshmoi edhe një herë fuqinë tonë si komunitet.

Kontributi juaj ishte më shumë se ndihmë materiale – ishte dëshmi e gjallë e besimit, e dashurisë për Zotin dhe për njëri-tjetrin. Ishte dëshmi se ky komunitet është i gjallë, i bashkuar dhe i fortë.

Na emocionuat thellë, na dhatë krenari të madhe dhe na mbushët zemrat me shpresë e forcë për ta vazhduar këtë mision të shenjtë.

Ajo natë do të mbetet e gdhendur në historinë e komunitetit tonë: brenda pak orësh u mblodhën mjete të mëdha për një kauzë madhore, duke dëshmuar unitetin, maturinë dhe vlerat e larta që na karakterizojnë si besimtarë dhe si shqiptarë.

Falënderim i veçantë për xhamitë dhe qendrat shqiptare – sidomos për xhamin “Dituria” në Gjenevë

Një falënderim shumë i veçantë, i përzemërt dhe i pazëvendësueshëm i drejtohet atyre xhamive dhe qendrave shqiptare në Zvicër që na qëndruan pranë në këtë rrugëtim të madh.

Në veçanti, me respekt të thellë dhe mirënjohje të sinqertë, falënderojmë:

Xhamin “Dituria” në Gjenevë, në krye me Imamin e nderuar, Mr. Rijad ef. Aliu, kryesinë e xhamisë dhe tërë xhematin e tyre të mrekullueshëm, për kontributin e jashtëzakonshëm, të madh që kanë dhënë për blerjen e objektit tonë.

Ju nuk ndihmuat vetëm me mjete materiale – ju na dhuruat zemrën tuaj, lutjen tuaj dhe vëllazërinë tuaj. Ju jeni shembull i gjallë se çfarë do të thotë solidaritet islam dhe vëllazëri shqiptare.

Allahu ju shpërbleftë me më të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër!

Mirënjohje për gjeneratën e parë – themeluesit e sakrificës

Me nderim të thellë u drejtohemi prindërve tanë – brezit të parë të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër.

Ju që ndërtuat xhamitë, qendrat e para, themelet e para të identitetit tonë fetar e kombëtar.

Shumë prej jush ndatë ushqimin nga goja e fëmijëve për të ndërtuar shtëpi të Allahut.

Ju i ngritët këto themele që ne dhe fëmijët tanë të mos humbim rrënjët, gjuhën, fenë dhe dinjitetin.

Kur vinte thirrja për xhami, ju nuk pyesnit “Pse?”, por thoshit:

“Çka duhet të bëj? Jam gati!”

Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Kush ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu do t’i ndërtojë atij një pallat në Xhenet.”

Mirënjohje për rininë – shpresa jonë e madhe

Një falënderim i madh u takon të rinjve dhe të rejave tona.

Ju treguat se jeni vazhdimësia e denjë e prindërve tuaj.

Energjia, përkushtimi dhe forca juaj ishin motori i kësaj fitoreje.

Mesazhi juaj ishte i qartë dhe i fuqishëm:

“Kthim prapa nuk ka!”

Fëmijët – buzëqeshja e së ardhmes

Një nga momentet më prekëse të asaj nate ishte kur fëmijët sollën arkën e tyre të kursimeve dhe e dhuruan për blerjen e Qendrës tonë.

Ajo arkë e vogël kishte peshë më të madhe se ari, sepse brenda saj ishte sinqeritet, besim dhe pastërti zemre.

Zoti i bekoftë fëmijët tanë!

Ata janë drita e së nesërmes sonë.

Falënderime për Hoxhallarët dhe mysafirët e nderuar

Falënderime të përzemërta për mysafirët tanë të nderuar:

· Dr. Bashkim ef. Aliu – Imam në xhaminë e Seebahut

· Halil ef. Avdulli – Imam në xhsminë e Glarusit

· Mr. Bekim ef. Alimi – Imam në xhamin e Wilit, moderator i mbrëmjes

· Menduh dhe Denis Alajbegu – për ilahitë që e zbukuruan shpirtërisht mbrëmjen

Fjalë që dalin nga zemra

Të dashur vëllezër dhe motra,

Kjo Qendër nuk u ndërtua vetëm me tulla e beton – ajo u ndërtua me lot lutjeje, me duar të hapura për dhënie, me zemra që rrahin për Allahun dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Sot ne nuk kemi vetëm një objekt të ri – sot kemi një dëshmi se kur besimtari bashkohet për hir të Allahut, asgjë nuk është e pamundur.

Në Përmbyllje

Në emrin tim dhe të kryesisë së Qendrës, shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen, dashurinë dhe besimin tuaj të palëkundur.

Allahu i Madhëruar ju shpërbleftë me bereqet në pasuri, me shëndet në trup, me qetësi në familje, me dritë në zemra dhe me Xhenetin Firdeus në botën tjetër!

Me respekt dhe luta për mirësi e bashkim,

Imami Fehim ef. Abazi

Kryesia e Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë

Lozanë, 28 Nëntor 2025

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme