POSTIMET E FUNDIT

Një jetë në shërbim të dijes dhe institucionit – fjala e recensentit për veprën e Dr. Dërgut Aliut

Më 27 mars në Prishtinë para shumë personaliteteve u prezentua një vepër e veçantë, e cila i kushtohet një personaliteti të shquar dhe kontributit të tij të çmuar ndër vite, transmeton helveticALForum.ch. Libri hedh dritë mbi jetën, veprën dhe misionin e Dr. Dërgut Aliut, duke e paraqitur atë si figurë të rëndësishme në ndërtimin dhe zhvillimin institucional dhe shoqëror. Në këtë aktivitet, një vend të rëndësishëm zë fjala e recensentit, e cila ofron një vlerësim të thelluar për përmbajtjen dhe rëndësinë e kësaj vepre.

Fjala e recensentit, Prof. Dr. Ylber Qusaj, për librin:

“Tri Dekada Institucion, Katër Dekada Mision – Një jetë e Dr. Dërgut Aliut”

Kjo vepër, me autorin, doktor i shkencave politike, PhD. Dashnim Hebibi, përbën një dëshmi të rrallë të përkushtimit, vizionit dhe punës së palodhur të një personaliteti që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e tij. Përmes një qasjeje të kujdesshme dhe dokumentare, libri sjell një pasqyrë të plotë të rrugëtimit jetësor dhe profesional të Dr. Aliut, duke theksuar rolin e tij në ndërtimin e institucioneve dhe avancimin e misionit arsimor e shoqëror. Kontributi i recensentit, Prof. Dr. Ylber Qusaj, e pasuron më tej këtë botim, duke ofruar një analizë profesionale dhe një vlerësim të merituar për rëndësinë e librit dhe figurës që ai trajton.

Të dhëna për botimin:

  • Autor: Dashnim Hebibi
  • Redaktor: Prof. Dr. Xhavit Lipaj
  • Recenzent: Prof. Dr. Ylber Qusaj
  • Lekturë dhe korrekturë: Prof. Dr. Valdet Hysenaj
  • Ballina: Berat Thaçi
  • Redaktor teknik: Xhavit Thaçi
  • Fotograf: Mirand Karamani
  • Botues: Shtëpia Botuese „Libri im“, Pejë

Kjo vepër vjen si një respekt i denjë për një jetë të tërë në shërbim të dijes, institucionit dhe shoqërisë, duke mbetur një referencë e vlefshme për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

“Mjekësia si Mision, Humanizëm dhe Përkushtim: Reflektim mbi jetën dhe veprën e Dr. Dërgut Aliut”

Prof. ass. Dr. Ylber Qusaj / Ekspert i Shkencave Farmaceutike dhe Teknologjisë së Prodhimit Farmaceutik Lonza Group Ltd., Zvicër. Profesor i Prodhimit të Avancuar Farmaceutik dhe Bioteknologjisë

Libri “Tri Dekada Institucion – Katër Dekada Mision: Një jetë e Dr. Dërgut Aliut”, me autor Dr. sc. Dashnim Hebibi, përfaqëson një vepër me rëndësi të veçantë në literaturën biografike dhe profesionale të mjekësisë në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare në përgjithësi. Në thelb, kjo vepër nuk është vetëm një biografi personale, por një dokument reflektues mbi evolucionin e një misioni profesional që lidhet drejtpërdrejt me një nga momentet më të rëndësishme biologjike dhe sociale të jetës njerëzore: lindjen. Në shumë raste, veprat biografike kanë për qëllim të paraqesin jetën e një individi në dimensionin personal dhe profesional. Mirëpo, ky libër arrin të shkojë përtej kësaj qasjeje klasike. Ai paraqet jo vetëm jetën e një mjeku të përkushtuar, por edhe zhvillimin e një filozofie profesionale, një modeli të përkushtimit ndaj profesionit dhe një shembull të rrallë të lidhjes së dijes shkencore me humanizmin dhe përgjegjësinë shoqërore. Nga perspektiva e një studiuesi dhe profesionisti të shkencave biomjekësore që vepron në një nga ekosistemet më të zhvilluara farmaceutike dhe bioteknologjike në Evropë – Zvicrën – kjo vepër përfaqëson një ndërthurje të rrallë midis përvojës klinike, reflektimit personal dhe dimensionit human të profesionit mjekësor. Në një kohë kur teknologjia dhe inovacioni shkencor po ndryshojnë me ritme të shpejta mënyrën e praktikimit të mjekësisë, historia e Dr. Dërgut Aliut na rikujton se në qendër të çdo avancimi shkencor duhet të qëndrojë njeriu dhe kujdesi për jetën.

Mjekësia si mision

Në literaturën moderne të bioetikës, profesioni i mjekut konsiderohet një nga profesionet me përgjegjësinë më të lartë shoqërore. Mjeku nuk është vetëm një profesionist që aplikon njohuri shkencore, por edhe një figurë që mban përgjegjësi morale dhe etike ndaj jetës njerëzore. Në obstetrikë dhe gjinekologji kjo përgjegjësi është edhe më e theksuar, sepse çdo vendim klinik ndikon drejtpërdrejt në jetën e nënës dhe të foshnjës. Rrugëtimi profesional i Dr. Dërgut Aliut përfaqëson një shembull të qartë të kësaj përgjegjësie. Për më shumë se katër dekada ai i ka shërbyer profesionit të tij me përkushtim, duke vendosur gjithmonë në qendër të punës së tij jetën dhe shëndetin e pacientëve. Mbi 15,000 lindje të asistuara gjatë karrierës së tij përbëjnë jo vetëm një statistikë profesionale, por një kontribut të jashtëzakonshëm në shëndetin riprodhues dhe në mirëqenien e mijëra familjeve. Çdo lindje e asistuar përfaqëson një histori, një familje dhe një moment të veçantë në jetën e njerëzve. Në këtë kuptim, puna e Dr. Aliut ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë. Ky kontribut i jashtëzakonshëm nuk mund të matet vetëm me numra apo statistika. Ai përfaqëson një mision jetësor, një përkushtim të vazhdueshëm ndaj profesionit dhe një dëshmi të qartë të rolit të rëndësishëm që luan mjeku në ndërtimin e mirëqenies shoqërore.

Institucioni dhe ndikimi shoqëror

Historia e Spitalit “Lindja” është një histori e vizionit profesional, e guximit për të ndërmarrë iniciativa të mëdha dhe e lidershipit institucional. Ndërtimi i një institucioni shëndetësor kërkon shumë më tepër sesa vetëm ekspertizë klinike. Ai kërkon aftësi menaxheriale, organizative dhe një vizion të qartë për të ardhmen.Në kontekstin e zhvillimit të sistemit shëndetësor në Kosovë, institucionet private kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e qasjes ndaj kujdesit obstetrik dhe gjinekologjik. Në shumë raste ato kanë kontribuar në modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe në ngritjen e standardeve profesi- onale. Spitali “Lindja”, i themeluar dhe i zhvilluar nga Dr. Dërgut Aliu, përfaqëson një shembull të rëndësishëm të këtij kontributi institucional. Për më shumë se tri dekada, ky institucion ka ofruar shërbime të rëndësishme për shëndetin e nënës dhe fëmijës, duke u bërë një pikë referimi për shumë familje. Fakti që sot ky spital funksionon me rreth 72 punëtorë dëshmon jo vetëm për rritjen dhe zhvillimin e tij institucional, por edhe për ndikimin e tij në krijimin e vendeve të punës dhe në zhvillimin e sektorit shëndetësor.

Dimensioni shkencor dhe profesional

Në mjekësinë moderne, zhvillimi profesional i vazhdueshëm është thelbësor për sigurimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Mjekësia është një fushë që evoluon vazhdimisht dhe kërkon përditësim të vazhdueshëm të njohurive dhe të praktikave klinike. Konferencat shkencore, trajnimet ndërkombëtare dhe integrimi i teknologjive të reja janë elemente kyçe të këtij procesi. Pjesëmarrja e Dr. Aliut në konferenca shkencore dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare ka kontribuar në përditësimin e praktikës klinike dhe në integrimin e metodave moderne diagnostike dhe terapeutike. Kjo tregon për një qasje profesionale të përgjegjshme dhe për një përkushtim të vazhdueshëm ndaj cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Reflektim personal dhe vlerësim për personalitetin e Dr. Dërgut Aliu


Nga ajo që më ka treguar miku im Dr. sc. Dashnim Hebibi për personalitetin e Dr. Dërgut Aliu dhe nga ajo që është shtjelluar në këtë libër, është për t’u përgëzuar doktori për gjithë atë punë të madhe që e ka bërë për këto 40 vjet si mjek dhe për 30 vjet me spitalin e tij “Lindja”. Me një staf prej rreth 72 punëtorësh, me mbi 10 mijë operacione dhe me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale, doktori ka arritur të ndërtojë jo vetëm një institucion të suksesshëm, por edhe një reputacion të veçantë në shërbim të shëndetit të nënës dhe fëmijës. Kontributi i tij është vlerësuar  edhe me tituj dhe nderime të rëndësishme. Ai është nderuar si ambasador i paqes, është dekoruar me medalje presidenciale dhe është njohur gjerësisht për aktivitetin e tij bamirës dhe për përkushtimin e tij atdhetar. Me një fjalë, doktori është një person- alitet i përmbushur në aspektin profesional, shoqëror dhe njerëzor. Ai është një shembull shumë i mirë se si arrihet suksesi në jetë dhe në profesion. Nga gjithçka që është paraqitur në libër shihet qartë se ky sukses nuk ka ardhur rastësisht, por është re- zultat i një pune të gjatë, të palodhur dhe të disiplinuar. Një ele- ment shumë i rëndësishëm që del qartë nga libri është edhe mbështetja e familjes në këtë rrugëtim. Veçanërisht duhet thek- suar roli i bashkëshortes së tij, e cila padyshim ka qenë një shtyllë shumë e rëndësishme në jetën dhe suksesin e tij. Ajo jo vetëm që e ka mbështetur në rrugëtimin profesional, por edhe ka mbajtur peshën e familjes dhe ka edukuar fëmijët, duke krijuar një bazë të fortë familjare mbi të cilën është ndërtuar edhe suksesi profe- sional i doktorit.

Dr. Dërguti, përmes shumë materialeve të vlefshme që i ka theksuar në libër, ofron edhe këshilla shumë të rëndësishme për profesionin e tij në fushën e gjinekologjisë. Përmes foto- grafive, përmes biografisë së tij, përmes fjalëve të familjarëve dhe të miqve, libri shndërrohet në një dëshmi të gjallë të një jete të mbushur me punë, sakrificë dhe përkush- tim.

Nga gjithë ajo që paraqitet në këtë libër kuptohet se Dr. Dërgut Aliu është një njeri me zemër të sinqertë dhe shpirt të bardhë. Edhe pse nuk e kam takuar asnjëherë personalisht, e njoh përmes punës së tij dhe tash shumë më mirë edhe përmes mikut tim Dashnim Hebibi dhe përmes faqeve të këtij libri që e keni në duar, i cili është një biografi vërtet titanike. Libri është shkruar – mund të them edhe i “qendisur” – me shumë kujdes dhe përkush- tim nga autori. Struktura e tij, materiali dokumentar, fotografitë dhe dëshmitë e përfshira e bëjnë këtë vepër një dokument të rëndësishëm jo vetëm për jetën e doktorit, por edhe për historinë e mjekësisë në Kosovë. Më pëlqen shumë edhe ideja që kjo ve- për po botohet në dy përvjetorë të rëndësishëm të jetës së doktorit: 30 vjet nga themelimi i spitalit dhe 40 vjet përvojë profe- sionale në mjekësi. Kjo e bën librin edhe më domethënës, sepse shërben si një reflektim i një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm. Një aspekt tjetër shumë domethënës që më ka lënë përshtypje është edhe kontributi i tij gjatë luftës në Kosovë, kur ai ka mjekuar çlirimtarët tanë. Ky fakt e pasuron edhe më shumë figurën e tij jo vetëm si mjek, por edhe si njeri me ndjenja të larta atdhetare dhe humane. Pra, me një fjalë, ai nuk është vetëm një doktor i shkëlqyer, por edhe një njeri i pastër. Mbi të gjitha, një njeri me shumë njerëzi. Do të doja shumë të isha edhe unë i pranishëm në manifestimin e 28 marsit, por fatkeqësisht e kam të pamundur të vij për shkak të angazhimeve të mia profesionale. Megjithatë, shpresoj që në promovim të mund të koordinohemi dhe të jem në një formë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Jam i nderuar që pata mundësinë ta lexoj këtë libër më herët. E studiova në njëfarë forme dhe u përpoqa të jap disa fjalë në formë recensioni, duke e çmuar punën e autorit dhe veprën e doktorit. Libra të tillë kanë një rëndësi të veçantë sepse ruajnë kujtesën profesionale dhe historinë e kontributit të individëve që kanë ndikuar në zhvillimin e shoqërisë.

Në fund, dëshiroj t’i uroj Dr. Dërgut Aliut shëndet të mirë, pleqëri të qetë dhe jetë të gjatë. Në përmbyllje, libri “Tri Dekada Institucion – Katër Dekada Mision: Një jetë e Dr. Dërgut Aliut” paraqet një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e historisë profesion- ale dhe institucionale të mjekësisë në Kosovë. Përmes analizës së jetës dhe veprimtarisë së Dr. Dërgut Aliut, vepra ofron një pasqyrë të qartë të mënyrës se si përkushtimi in- dividual, etika profesionale dhe vizioni institucional mund të ndikojnë në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore dhe në përmirësimin e mirëqenies shoqërore.

Figura e Dr. Aliut shfaqet si një shembull i harmonizimit të kom- petencës shkencore me humanizmin mjekësor.


Kontributi i tij në obstetrikë dhe gjinekologji, i reflektuar përmes një përvoje shumëvjeçare klinike, numrit të madh të lindjeve të asistuara dhe ndërtimit të një institucioni shëndetësor funksional, dëshmon se mjekësia nuk është vetëm një profesion teknik, por një mision i lidhur ngushtë me përgjegjësinë ndaj jetës dhe shoqërisë. Njëkohësisht, libri i autorit Dr. sc. Dashnim Hebibi ka vlerë të veçantë dokumentare dhe historiografike, pasi ndërthur elemente biografike, profesionale dhe shoqërore, duke krijuar një narrativë që tejkalon dimensionin individual dhe reflekton zhvillimet më të gjera të sistemit shëndetësor në Kosovë. Në këtë mënyrë, vepra shërben jo vetëm si një homazh për një figurë të rëndësishme të mjekësisë, por edhe si një burim refer- encial për studiuesit, profesionistët e shëndetësisë dhe brezat e rinj të mjekëve. Në një epokë të karakterizuar nga zhvillime të shpejta teknologjike dhe shkencore në mjekësi, historia e Dr. Dërgut Aliut rikujton se themeli i çdo progresi në këtë fushë mbetet human- izmi, përkushtimi profesional dhe përgjegjësia etike ndaj jetës njerëzore. Për këtë arsye, kjo vepër përbën një dëshmi të rëndësishme të rolit të individit në ndërtimin e institucioneve dhe në avancimin e kulturës profesionale në shoqëri.
Urime, doktor.

Stein, 17 mars 2026

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB