POSTIMET E FUNDIT

NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON

Nga Fuat Memelli

U festua 20-vjetori i themelimit të Shkollës Shqipe “Besa”.

Kanë kaluar 20 vjet që kur në qytetin e Bostonit, një qytet me histori të madhe për komunitetin shqiptar, u regjistrua në shtet dhe u hap zyrtarisht Shkolla Shqipe “Besa”. Ishte një ëndërr e emigrantëve shqiptarë, e cila u realizua në vitin 2006. Për të festuar këtë ngjarje të shënuar, organizatorja dhe mbështetësja e kësaj shkolle, Shoqata “Mass. Besa”, kishte zgjedhur datën 7 Mars, që është edhe Dita e Mësuesit. Diku kam lexuar: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.”

Nxënës të shkollës, mësues, prindër e shqiptarë të tjerë u mblodhën në restorantin e shqiptarit Leo Koka në qytetin Braintree. Pas himneve të Amerikës dhe të Shqipërisë, të cilët na ngjallin emocione sa herë i dëgjojmë, e mori fjalën kryetari i Shoqatës “Mass. Besa”, Sokol Lushllari, i cili është një nga veprimtarët e palodhur të komunitetit shqiptar të Bostonit.

Ndër të tjera, ai theksoi se Shkolla Shqipe “Besa” dhe grupi i valleve “Bashkimi Dance” kanë një kontribut të veçantë për ruajtjen e identitetit kombëtar këtu në shtetin e Massachusetts. Ai falënderoi mësuesit, prindërit, vullnetarët, ish-drejtuesit e “Mass. Besës” dhe bizneset shqiptare, të cilët e kanë mbështetur shkollën shqipe, që fëmijët të mësonin shkrim e këndim në gjuhën e bukur shqipe.

Një informacion të zgjeruar për rrugëtimin e shkollës në këto 20 vite paraqiti drejtoresha aktuale e shkollës shqipe, Blerina Omari. Ajo shprehu respektin dhe mirënjohjen për nismëtarët e shkollës, të cilët ishin: Adrian Papandili, Mark Kosmo, Albana Orgocka, Enkelejda Kapia, Edlira dhe Agron Gjerasi, Fatmir Beja, Vilma Simeqi, Gentiana Pambuku, Pandeli Dhima, Rolanda Dhimitri, Oltiana Mara, Stefan Koçi dhe Arben Malaj.

“Hapja e shkollës shqipe,” – vazhdoi Blerina – “u bë me mbështetjen e veçantë të Shoqatës Mass. ‘Besa’, të kishave shqiptare në Boston, si dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në Shqipëri. Shkolla e nisi aktivitetin e saj me dy klasa në Boston University dhe tre klasa në Katedralen e Shën Gjergjit dhe në kishën e Shën Trinisë. Në fillim kishte dy lëndë: abetare dhe gjuhë shqipe, por më pas u shtuan edhe leximi dhe matematika. Në vitin 2015, në Festivalin e Zërave të Rinj që u zhvillua në New York, nxënësit e kësaj shkolle fituan çmimin e parë me këngën që kënduan.”

Pastaj e morën fjalën vogëlushët e shkollës. Recitimet dhe këngët e tyre më ngjajnë si cicërima bilbilash. Recitimet i kushtoheshin mësuesve, gjuhës shqipe, prindërve etj. Vargjet e Naim Frashërit për gjuhën shqipe, këtë “gjuhë perëndie”, siç e quan poeti ynë i shquar, jehuan nga zërat e vogëlushëve:

Gjuha jonë sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e dlirë,

Sa e bukur, sa e vlerë!

Kënga kushtuar mësuesve, e cila këndohet prej vitesh nga fëmijët tanë, ishte pjesë e programit të tyre:

“Festën e mësuesit

Ne do ta festojmë,

Lulet më të bukura

Ne do t’i dhurojmë.”

Pas çdo recitimi e kënge, vogëlushët u “shpërblyen” me duartrokitjet e të pranishmëve. Për themeluesit e shkollës, si dhe për kontribuesit kryesorë, u dhanë dëshmi mirënjohjeje, ndërsa për kontribuesit me fonde u dhanë certifikata. Si flutura kërcyen pastaj vajzat e grupit të valleve, duke marrë edhe ato duartrokitjet e pjesëmarrësve. Pas tyre sallën e “pushtoi” këngëtari i njohur Indrit Mlika, i cili prej vitesh vjen në Boston. Këngët dhe vallet që vazhduan gjatë ia shtuan edhe më shumë bukurinë kësaj dite të shënuar të Shkollës Shqipe “Besa”. /BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB