Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ndodhet në Kroaci, ku do të marrë pjesë në Samitin Parlamentar të Iniciativës së Tre Deteve, një forum i rëndësishëm ndër-rajonal që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor në Europë e më gjerë, mes vendeve të Adriatikut, Balltikut dhe Detit të Zi.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, Kryetari i Kuvendit zhvilloi një takim në Parlamentin e Kroacisë me homologun, Gordan Jandrokoviç.
Kryetari Peleshi e falënderoi homologun Jandrokoviç për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përvoja e Kroacisë në procesin e anëtarësimit në BE ështé një model i rëndësishëm për Shqipërinë, theksoi Kryetari Peleshi, ndërkohë që sugjeroi shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
Peleshi dhe Jandrokoviç vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve. Lidhjet historike, kulturore dhe ekonomike, si dhe prioritetet e përbashkëta në politikën e jashtme, krijojnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Parlamentet do të vijojnë të mbështesin rritjene shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat kanë arritur rreth 200 milionë dollarë në vitin 2024, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2023. U diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm si energjia, infrastruktura, mbrojtja, zhvillimi ekonomik, bujqësia, shkenca dhe turizmi, duke i kushtuar vëmendje të veçantë trajnimit profesional në turizëm dhe mbrojtjes së mjedisit, veçanërisht nga ndotja bregdetare.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua intensifikimit të bashkëpunimit shumë të mirë parlamentar në të gjitha nivelet dhe mes komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.
Palët diskutuan gjithashtu për partneritetin për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe mbrojtjen e paqes, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, organizatave ndërkombëtare dhe iniciativave rajonale.
Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin luftën e drejtë të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, si një kontribut i përbashkët për mbrojtjen e lirisë dhe të paqes.
Në takim u vlerësua edhe roli i komunitetit shqiptar në Kroaci, i cili konsiderohet një urë e rëndësishme miqësie mes dy vendeve.
Vizita e Kryetarit të Kuvendit në Zagreb dhe pjesëmarrja në Samitin e Iniciativës së Tre Deteve pritet të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe rajonal mes Shqipërisë dhe Kroacisë, transmeton rtsh.




