1.9 C
Zurich
Friday, January 2, 2026
spot_img
spot_img

Nga Tërnoci në Prishtinë, Lugina e Preshevës në mërgatë – një komb në nderim të Akademik Nexhat Dacit

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Zürich, 02 janar 2026 – Në këtë janar të acartë, jo vetëm nga Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata shqiptare, u drejtuan me dhimbje e përulje drejt Prishtinës dhjetëra veprimtarë, intelektualë dhe bashkëvendës për t’i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar – akademikut, shkencëtarit dhe burrit të shtetit, Nexhat Daci.

Që në orët e para të ditës, nga aeroportet e Cyrihut dhe Bazelit, disa veprimtarë nga Tërnoci dhe nga Lugina e Preshevës në përgjithësi udhëtuan drejt Kosovës për të nderuar jetën dhe veprën e bashkëvendësit të tyre, i cili me punën, dijen dhe përkushtimin e tij i dha shumë Kosovës, shkencës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Dhimbja për humbjen e tij u ndje thellë në Prishtinë, por po aq edhe në mërgatë. Trevat shqiptare të Luginës së Preshevës krenohen dhe do të krenohen për jetë me figurën e Nexhat Dacit.

Tërnoci është krenar dhe do të mbetet krenar brez pas brezi për arritjet e tij shkencore, akademike dhe diplomatike, u shpreh veprimtari nga Tërnoci, Rafet Ademi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër. 

Me lot në sy, ai kujtoi takimet dhe bashkëbisedimet që kishte pasur me akademikun Daci, duke theksuar se edhe gjatë qëndrimeve të tij në Zvicër për angazhime pune, Daci nuk e harronte asnjëherë Kosovën Lindore dhe bashkëvendësit e tij, me të cilët ruante lidhje të vazhdueshme, duke bashkëbiseduar me po atë thjeshtësi e ngrohtësi si dikur.

“Do ta kujtojmë gjithmonë për fjalën e urtë, humorin e mirë, qëndrimin dinjitoz dhe karakterin e fortë që e dallonte”, theksojnë bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij.

Edhe pse ishte ditë pune në Zvicër, veprimtarë të Luginës së Preshevës u nisën drejt Prishtinës për të ngushëlluar familjen Daci, bashkëvendësit dhe mbarë atdhetarët shqiptarë. Ndërkohë, siç mëson portali helveticALforum.ch, mbrëmjen e kaluar në fshatin e lindjes së tij, në Tërnoc, u mbajt një takim përkujtimor, ku salla ishte e tejmbushur. Të pranishmit përkujtuan jetën dhe veprën e një figure emblematike të jetës akademike dhe politike të Kosovës.

Një jetë në shërbim të dijes, shkencës dhe shtetit

Nexhat Daci lindi në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje dhe në Leskovc (1960). Studimet e larta për kimi i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaroi edhe studimet pasuniversitare (1968). Më pas kreu një kurs pasuniversitar në Liezh të Belgjikës (1970).

Tezën e doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet pasdoktoratës i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit në Angli (1974).

Nga viti 1966 e tutje, Daci ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të ndritur akademike në Universitetin e Prishtinës, ku u zgjodh asistent, ligjërues, profesor inordinar dhe, në vitin 1984, mori titullin profesor ordinar.

Ai zhvilloi udhëtime studimore në shumë vende të botës dhe ishte anëtar i institucioneve ndërkombëtare prestigjioze, përfshirë Shoqatën e Kimistëve Amerikanë (1985) dhe Akademinë Evropiane për Çështje të Mjedisit (1987).

Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt. Më pas shërbeu si sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i ASHAK-ut (1999–2002). Në vitin 2014 u bë anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (ALLEA).

Veprimtaria e tij shkencore përfshinte studime të rëndësishme mbi strukturën e substancës organike dhe inorganike të qymyrit të Kosovës, analizën e hirit të termocentraleve, mbrojtjen e mjedisit dhe trajtimin e ndotësve të ujërave urbane dhe industriale. Ai ishte autor i teksteve universitare dhe monografive të njohura, si “Kimia organike” dhe “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”, si dhe bashkautor i studimeve ndërkombëtare në fushën e kimisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Burrë shteti dhe figurë politike

Në jetën politike, Nexhat Daci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës (2001–2011), kryetar i Kuvendit të Kosovës (2001–2006) dhe President në detyrë pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova (2006). Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë, duke u bërë kryetar i saj dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike të vendit.

Nexhat Daci do të kujtohet për jetë të jetëve si emblemë e Tërnocit, e Luginës së Preshevës – si dijetar, akademik, politikan dhe atdhetar i palëkundur.

I përjetshëm kujtimi! /HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme