1.9 C
Zurich
Thursday, December 4, 2025
spot_img
spot_img

Nga Frankfurti në Prishtinë: Udhëtimi 17-vjeçar diplomatik i Astrit Zemajt

Duhet ti lexosh

Dhjetë vjet nga përmbyllja e mandatit të parë në Frankfurt – Astrit Zemaj: “Krenar për të kaluarën, i përkushtuar për të ardhmen

Përgatiti: Dashnim HEBIBI

Prishtinë, 03 dhjetor 2025 – Ambasadori Astrit Zemaj, aktualisht Drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës shënon sot dhjetëvjetorin e përmbylljes së mandatit të tij të parë si udhëheqës i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, një periudhë gjashtëvjeçare bashkëpunimi të ngushtë me institucionet e Landit të Hessen-it, qytetin e Frankfurtit dhe komunitetin e gjerë të mërgatës kosovare.

Zemaj kujton me krenari këtë kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij diplomatike, të cilin e quan gurthemeli më i veçantë i rrugëtimit të tij profesional. Si themelues dhe drejtues i parë i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt (23 nëntor 2009 – dhjetor 2015), ai pati nderin të vendoste bazat e funksionimit konsullor të shtetit të ri të Kosovës në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike e diplomatike të Gjermanisë.

Gjatë kësaj periudhe, Zemaj u dekorua dhe u vlerësua nga institucionet e Landit të Hessen-it dhe ato të qytetit të Frankfurtit, si shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të komunitetit shqiptar në këtë land.

Pas misionit të parë në Frankfurt, karriera e tij diplomatike vazhdoi në pozita të tjera të rëndësishme: në Ambasadën e Kosovës në Berlin (2015–2018), në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Prishtinë (2019–2020), në Misionin e Kosovës në Bruksel (2020–2025), dhe aktualisht sërish në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë.

“Rrugëtimi im profesional në çdo detyrë ka qenë përgjegjësi e madhe dhe nder institucional, por fillimi në Frankfurt mbetet për mua një nga kapitujt më të veçantë. Sot, në vitin e 17-të të shërbimit tim diplomatik, ndjej të njëjtin përkushtim për t’i shërbyer vendit tim me integritet dhe profesionalizëm,” u shpreh Zemaj.

Ai theksoi se puna me mërgatën kosovare dhe institucionet gjermane ka qenë gjithmonë një burim motivimi dhe krenarie, duke shtuar se ky përvjetor shënon jo vetëm një kujtim, por edhe një vazhdimësi të misionit të tij në shërbim të shtetit të Kosovës.

“Krenar për të kaluarën. I përkushtuar për të ardhmen. Vazhdojmë!”, përfundon mesazhin e tij Zemaj.

Foto (Dhjetor 2015): Ceremonia e përcjelljes nga strukturat drejtuese të Landit të Hessen-it dhe Kori Diplomatik-Konsullor në Frankfurt, transmeton helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme