11.2 C
Zurich
Thursday, January 15, 2026
spot_img
spot_img

Nga Diaspora, me Shpirt në Reçak – 27 Vjet Kujtesë, Dhimbje dhe Betim për Liri

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI, Reçak

Reçaku nuk është vetëm një fshat në zemër të Kosovës. Reçaku është plagë, dëshmi dhe betim. Sot, 27 vjet pas Masakrës së Reçakut, dielli lind sërish mbi këtë tokë të shenjtë, por kujtesa nuk zbehet. Ajo bëhet më e fortë, më e thellë dhe më e dhimbshme – sidomos për ne në diasporë, që Kosovën e mbajmë në zemër, edhe kur jemi larg saj.

Më 15 janar 1999, në Reçak u ndal fryma e njerëzimit. Forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse jetonin në tokën e tyre. Trupat e pajetë të tyre, të masakruar dhe të hedhur pa mëshirë, tronditën botën dhe zbuluan fytyrën e vërtetë të krimeve shtetërore serbe në Kosovë. 

Pamjet nga “Gropa e Bebushit” mbeten të gdhendura në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë. Aty ku sot ngrihet Kompleksi Memorial i Reçakut, atë ditë u derdh gjaku i pafajësisë. Aty u pushkatuan burra të paarmatosur, të rreshtuar dhe të vrarë nga afër. Aty u dëshmua se liria e Kosovës nuk erdhi si dhuratë, por si sakrificë.

Vizita e ambasadorit të OSBE-së, William Walker, më 16 janar 1999, ishte momenti kur e vërteta nuk mund të fshihej më. Fjalët e tij – “Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time” – u bënë thirrje ndërkombëtare për drejtësi. Reçaku ishte alarmi i fundit për botën demokratike. Pas tij, heshtja nuk ishte më opsion. Nga Reçaku nisi kthesa historike që çoi në ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars 1999 dhe në çlirimin e Kosovës. Prandaj, Reçaku është themel i lirisë sonë.

Diaspora nuk harron

Ne, mërgimtarët shqiptarë, e kujtojmë Reçakun me mall, me dhimbje dhe me krenari të përzier me lot. Sa herë që kthehemi në Kosovë, ndalemi në Reçak. Përkulemi në heshtje. Vendosim një lule. Dhe i themi vetes se nuk guxojmë të harrojmë. 

Çdo mërgimtar shqiptar duhet të ndalet në Reçak.

Jo vetëm për të kujtuar të rënët, por për t’u përballur me të vërtetën: liria ka rrënjë në gjak. Dhe ajo liri kërkon përgjegjësi – të jemi më të bashkuar, më të drejtë, më punëtorë dhe më të denjë për sakrificën që u bë.

Mohimi nuk e vret të vërtetën

Edhe sot, 27 vjet më pas, Serbia vazhdon ta mohojë Masakrën e Reçakut. Por e vërteta nuk zhduket me mohime. Ajo jeton në varret e martirëve, në kujtesën e popullit dhe në dokumentet ndërkombëtare që e kanë dënuar këtë krim.

Fakti që vetëm një person është dënuar për këtë masakër është plagë e hapur e drejtësisë ndërkombëtare. Por Reçaku mbetet aktakuzë morale ndaj atyre që vranë dhe ndaj atyre që heshtën.

Betim për brezat që vijnë

Sot, në këtë përvjetor, diaspora shqiptare lutet për shpirtrat e 45 martirëve të Reçakut. Ne betohemi se do ta ruajmë kujtesën e tyre gjallë dhe se do të punojmë që brezat që vijnë të mbjellin dashuri, unitet dhe dinjitet, mbi tokën që u ujit me gjak për liri.

Reçaku nuk është vetëm histori.

Reçaku është amanet.

Reçaku është ndërgjegje.

Lavdi martirëve të Reçakut.

Lavdi sakrificës për lirinë e Kosovës.

Diaspora është dhe do të mbetet – me shpirt, sot e përjetë – në Reçak.

Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme