POSTIMET E FUNDIT

Nga dhimbja e luftës te arritjet shkencore: Vizita diplomatike në Flüelen me kuptim të thellë kombëtar

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Flüelen, 24 mars 2026 – Në një datë të mbushur me kujtesë historike dhe ndjenja të thella kombëtare, sot më 24 mars 2026, u realizua një vizitë e veçantë në Pflegezentrum Urnersee në Flüelen të Kantonit Uri, duke sjellë së bashku përfaqësues të lartë të diplomacisë shqiptare në diasporë dhe një personalitet të shquar të fushës së mjekësisë. Kjo ditë nuk është e zakonshme për kombin shqiptar. Ajo shënon 27-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë – një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës – si dhe 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga momentet më të lavdishme të rezistencës shqiptare. 24 marsi mbetet një datë që simbolizon dhimbjen, sakrificën dhe shpresën për liri, një ditë që për shqiptarët është kujtesë e përhershme e qëndresës dhe e çmimit të lirisë.

Në këtë frymë përkujtimi dhe reflektimi, vizita e delegacionit diplomatik mori një dimension të veçantë. Në orën 11:30, drejtori i qendrës, Xhavit Lipaj, pati nderin të mirëpresë një delegacion të përbërë nga figura të rëndësishme të diplomacisë shqiptare. Nga Shqipëria ishte i pranishëm Shkëlqesia e Tij, Ermal Dredha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë, i shoqëruar nga Valon Gashi, sekretar i parë. Ndërsa nga Republika e Maqedonisë së Veriut morën pjesë Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Rexhep Demiri, si dhe Florim Useini, në cilësinë e Kryetarit të Rrjetit të Miqësisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte të fitohej një pasqyrë më e thelluar mbi organizimin dhe përditshmërinë e kujdesit afatgjatë në Zvicër. Delegacioni u njoh nga afër me modelin zviceran të kujdesit, i cili mbështetet në standarde të larta profesionale, bashkëpunim ndërdisiplinor dhe respekt të thellë për dinjitetin njerëzor. Gjatë vizitës, një vëmendje e veçantë iu kushtua jetës së përditshme të banorëve të qendrës – nga kujdesi i mëngjesit, aktivitetet terapeutike e sociale, deri te mbështetja emocionale për personat që jetojnë me demencë. Në respekt të privatësisë, delegacioni vizitoi hapësirat e përbashkëta, ku reflektohet më së miri dimensioni njerëzor i kujdesit. Pas vizitës, një drekë e përbashkët shërbeu si një moment reflektimi dhe shkëmbimi përvojash mbi sfidat dhe zhvillimet në fushën e kujdesit shëndetësor, duke e kthyer këtë takim në një platformë të rëndësishme dialogu profesional. Por përtej dimensionit institucional, kjo vizitë kishte një thellësi të veçantë njerëzore. Prof. Dr. Xhavit Lipaj është një personalitet i njohur jo vetëm për rolin e tij drejtues dhe profesional, por edhe për kontributin e tij në fushën shkencore. Punimet e tij janë prezantuar në revista të ndryshme ndërkombëtare shkencore, duke mbajtur me krenari mbiemrin shqiptar “Lipaj”, një dëshmi e identitetit dhe rrënjëve të tij, edhe në arenën akademike globale.

Ky fakt nuk është thjesht një arritje personale, por një mesazh i fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë. Në çdo publikim shkencor, në çdo studim apo prezantim, emri i tij përfaqëson jo vetëm një studiues, por edhe një histori, një kulturë dhe një popull që ka kaluar nëpër sfida të mëdha. Ai vjen nga një familje që ka dhënë nëntë anëtarë për lirinë e Kosovës, përfshirë edhe nënën e tij të dashur. Kjo e bën figurën e tij edhe më të madhe – një ndërthurje e dhimbjes, sakrificës dhe suksesit. Rrugëtimi i tij është dëshmi se edhe nga plagët më të thella mund të lindin histori suksesi dhe dinjiteti. Shteti zviceran i ka njohur dhe vlerësuar arritjet e tij, ndërsa ai mbetet një shembull frymëzues për diasporën shqiptare – një figurë që lidh profesionalizmin me humanizmin dhe atdhedashurinë.

Megjithatë, në këtë takim kaq domethënës, u ndje mungesa e përfaqësuesve të diplomacisë së Kosovës në Zvicër. Në një ditë përkujtimore si 24 marsi dhe në një vizitë që nderon një familje me sakrifica të jashtëzakonshme, prania e tyre do të kishte qenë një akt i rëndësishëm respekti dhe përfaqësimi.Kjo vizitë dëshmoi se përfaqësuesit e shteteve tona e vlerësojnë diasporën dhe janë të gatshëm të ndërtojnë ura bashkëpunimi përmes dijes dhe përvojës së saj. Ajo gjithashtu rikujtoi se historia jonë nuk është vetëm kujtesë, por edhe përgjegjësi për ta vazhduar me dinjitet. Në fund, në një ditë si 24 marsi – mes kujtimit të sakrificës dhe reflektimit për të ardhmen – kjo vizitë u shndërrua në një mesazh të fuqishëm bashkimi, respekti dhe krenarie kombëtare.

Foto nga XH.L

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB