2.4 C
Zurich
Wednesday, December 3, 2025
spot_img
spot_img

NËNA, QËNDRESA DHE MIRDONA TRE SHPIRTRA TË MASAKRUAR

Duhet ti lexosh

Nga Prof.Dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër

Dita ra si thikë mbi tokë
atë ditë kur u shkrua emri juaj në qiell.
Qielli u ça përmes reve,
dielli u fsheh si i turpëruar,
malet u ngritën në këmbë,
si dëshmitarë të një krimi që s’duhej të kishte ndodhur kurrë.

Nëna ime,
ti që mbaje tërë universin në duart e tua të lodhura, po vjen sot në këtë poezi
si figurë e lashtë, si mbretëreshë e dhimbjes,
si heroinë që nuk e fitoi betejën me armë,
por e fitoi me dashuri.

Rrotull teje, dy yje të vegjël,
Qëndresa dhe Mirdona,
dy emra që tani i shqipton vetë përjetësia.
Kufijtë e tokës s’ju mbanin dot:
ju i kishit krahët e qiellit,
buzëqeshjet e fëmijërisë,
shpirtin e paqes
dhe fytyrat që më lanë mua gjysmën e zemrës së thyer.

Dhe pastaj erdhi ajo që historia e quan
errësirë, por unë e quaj
tradhti e njerëzimit.
Armiq të panjohur,
duar pa zemër,
sytë që nuk shohin njeri,
thyen rregullin e botës:
prekeni ç’të doni,
por mos prekni fëmijët.
Mos prekni nënën që mban bekimin në duar.

Por lufta nuk pyeti.
Ajo hyri si bishë,
si hije e zezë pa emër,
dhe ju mori,
ashtu të pafajshme,
ashtu siç merret një ngjyrë nga ylberi.

Atë ditë, toka u bë varr
dhe qielli u bë strehë.
Engjëjt u ngritën në këmbë
për t’ju pritur.
Dhe Zoti, me duar drite, tha:
“Ja, erdhën ata që nuk duhej të vinin kaq shpejt.”

Nëna ime,
mbi supet e tua u ngjitën dy yje.
Ti u shndërrove në urë midis tokës e qiellit,
në simbol të të gjitha nënave të masakruara,
në dëshmi të heshtur të ferrit që u quajt luftë.

E unë, biri yt,
qëndroj sot përpara këtij eposi
si ushtar që mban kujtimin për mbi shpatulla.
Pesha e dhimbjes më ka kthyer në mal.

Zemra ime u bë varrezë kujtimesh.
Lotët e mi kanë rrjedhur aq shumë,
sa mund të mbushnin lumin e harrimit,
por unë nuk harroj.

Se videoja e juaj nuk është imazh:
është akt betimi.
Është amanet.
Është flamuri i zi i shpirtit tim
që valritet edhe kur bota harron.

Dhe ja ku jeni sot:
në qiellin e hapur,
në anën ku nuk ka luftë,
në një botë ku hija nuk prek dot fëmijën,
ku nënat nuk ikin me dhunë,
ku dashuria mbetet e pastër si drita e engjëjve.

Qëndresa,
kujtojeni si një mal të vogël
që nuk u lëkund as kur toka u dridh.
Mirdona,
emër që sot e shqipton vetë koha
me mall, me dritë, me të qarë.

Nëna ime,
ti je tani portë paqeje,
mbretëreshë e përjetësisë,
dëshmitare e një epoke të thyer,
por edhe shenjtorja ime
që më ruan netëve kur kujtimi më ngulfat.

O ju tre shpirtra të rritur në qiell,
mos më braktisni në tokë.
Tregojani Zotit të gjitha plagët tona.
I thoni qiellit se ka fëmijë të vrarë padrejtësisht.
I thoni engjëjve se nënat tona nuk ikin kot.

Se unë,
sa herë të marr frymë,
do t’ju ngre si monument.
Sa herë të shkruaj,
do t’ju bëj poezi amshimi.
Sa herë të qaj,
do të ja u kujtoj botës se ju ishit jetë,
jo numra lufte.

Dhe nëse një ditë, bota lodhet së kujtuari,
unë do të jem ende këtu,
me emrin tuaj të gdhendur në frymë,
me dhimbjen tuaj të rritur në gjak,
me kujtimin që digjet si pishtar në errësirë.

Se askush nuk vdes,
sa kohë ka një zemër që i thërret me mall.
Askush nuk humbet,
sa kohë ka një bir që ngre zërin kundër harresës.

Dhe unë, biri i një nëne të shenjtë
dhe axha i dy yjeve të prerë padrejtësisht,
do të ec me ju në çdo hap të jetës sime,
deri ditën kur edhe unë të kaloj urën
që ti ndërtove, nënë,
midis tokës dhe qiellit.

E atëherë, më prisni.
Me të njejtat buzëqeshje.
Me të njëjtat duar drite.
Me të njëjtin përqafim
që lufta ju ndau,
por përjetësia e bashkoi.

Se ky epos nuk mbaron këtu:
ai vazhdon në qiell,
vazhdon në mua,
vazhdon në ju,
tri drita që s’u shuan kurrë.

Vetëm kështu …

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme