Nga Hamzë Morina, veteran i arsimit dhe ish-kryetar i LAPSH-it në Zvicër
Në Schofland të Zvicrës, pasditen e sotme, Shoqata “Sali Çekaj” në Zvicër pati mysafir udhëheqësin e Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” nga Kosova, z. Ismet Azizi. Me këtë rast, Azizi hapi ekspozitën me titull “Sanxhaku i dhembjes kombëtare”, e cila i kushtohet historisë së dhimbshme të Sanxhakut dhe fatit të shqiptarëve në këtë trevë, të ndarë në dysh mes Serbisë dhe Malit të Zi.

Gjatë prezantimit të tij, Ismet Azizi referoi mbi proceset historike që kanë çuar në copëtimin e Sanxhakut, duke theksuar pasojat e rënda për popullsinë shqiptare, veçanërisht asimilimin, shpërnguljet dhe humbjen graduale të identitetit kombëtar. Ekspozita, përmes materialeve dokumentare dhe pamore, pasqyroi vuajtjet shumëdekadëshe të kësaj treve dhe rezistencën e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit.

Pas hapjes së ekspozitës, të pranishmit zhvilluan një debat të frytshëm dhe konstruktiv, ku u shkëmbyen mendime rreth nevojës për ndërgjegjësim më të madh institucional dhe shoqëror, si dhe për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe trevave shqiptare në Sanxhak. Aktiviteti u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe në sensibilizimin e opinionit për çështjen e shqiptarëve në Sanxhak.




