POSTIMET E FUNDIT

Në UEJL u mbajt panel diskutimi për sfidat e barazisë gjinore dhe rolin e gruas në shoqëri

Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, sot në Universitetin e Evropës Juglindore u mbajt një panel diskutimi i organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Fakulteti i Drejtësisë dhe Rrjeti i Grave në Shkencë. Aktiviteti kishte për fokus çështjet e barazisë gjinore, sfidat sociale dhe psikologjike me të cilat përballen gratë në shoqërinë bashkëkohore, si dhe rolin e institucioneve akademike në avancimin e të drejtave të grave.

Panelin e hapi Prof. Dr. Blerta Ahmedi, e cila në fjalën hyrëse theksoi rëndësinë e diskutimeve akademike dhe ndërdisiplinore për të adresuar çështjet që lidhen me barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, duke theksuar se universitetet janë hapësira ku duhet të zhvillohet dialogu kritik dhe konstruktiv për këto tema. Pas hapjes së panelit, të pranishmit mbajtën edhe një minutë heshtje në nderim të viktimave të dhunës në familje dhe të feminicidit në vendin tonë.

Në fjalët përshëndetëse, Prof. Dr. Besa Arifi, Këshilltare për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Juglindore, theksoi se universiteti mbetet i përkushtuar në promovimin e vlerave të barazisë, përfshirjes dhe fuqizimit të grave në të gjitha sferat e jetës akademike dhe shoqërore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Elisabeta B. Ollogu, kryetare e Rrjetit të Grave në Shkencë, vuri në pah rëndësinë e krijimit të platformave që fuqizojnë zërin e grave në shkencë dhe në shoqëri, ndërsa Prof. Dr. Merita Zulfiu-Alili, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, theksoi rolin e institucioneve akademike në nxitjen e debatit kritik dhe në avancimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për gratë.

Në kuadër të panelit, Prof. Dr. Arta Mero foli për temën “Barazia gjinore në letër, heqja dorë në praktikë: Cenimi i trashëgimisë së gruas si dhunë ekonomike e heshtur”. Prof. Zebide Ibraimi trajtoi temën “Lufta e brendshme psikologjike për autonomi”, ndërsa Prof. Dr. Rabije Murati prezantoi temën “Arritje të mëdha, njohje e vogël”. Prof. Dr. Blerta Ahmedi prezantoi temën “Roli i njohjes së të drejtave në parandalimin e dhunës me bazë gjinore”, ndërsa Prof. Dr. Lirie Aliti foli për temën “Përtej ‘Urimit’: Çmontimi i barrierave psikologjike dhe standardeve të dyfishta”.

Paneli u karakterizua nga diskutime të hapura dhe reflektime kritike mbi sfidat aktuale, duke theksuar nevojën për angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në të gjitha fushat e jetës, transmeton UEJL, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB