1 C
Zurich
Wednesday, November 19, 2025
spot_img
spot_img

Në tokën tonë, me gjuhë të huaj – ku po mbetet gjuha shqipe?

Duhet ti lexosh

Nga: Dashnim HeBIBI

Green Coast, 22 Korrik, 2025 – Është e dhimbshme ta dëgjosh një nënë shqiptare t’u flasë fëmijëve të saj në gjuhën e huaj, ndërsa shqipja – ajo gjuhë që na ka rritur, na ka kënduar ninullat, na ka mbajtur gjallë ndër shekuj – lihet mënjanë, si diçka e panevojshme. Dhe kjo nuk ndodh diku larg, por në brigjet tona, në tokën tonë.

Mbrëmë, në Green Coast, pranë Dhërmiut, dëgjova një nënë që i fliste fëmijëve të saj në gjermanisht. Jo se kemi ndonjë gjë kundër gjuhëve të huaja – përkundrazi, është vlerë e madhe të dish më shumë se një gjuhë. Por të dish gjuhë të huaja nuk duhet të jetë kurrë arsye për të harruar shqipen. Sepse nëse ne, prindërit, i drejtohemi fëmijëve tanë vetëm në një gjuhë tjetër, atëherë mos të presim që ata ta ruajnë gjuhën e nënës vetë.

Po shkojmë plazh më plazh, vend më vend, dhe dëgjojmë kudo fëmijë shqiptarë që flasin italisht, gjermanisht, greqisht, suedisht… dhe nuk kanë më as lidhje, as ndjenjë për gjuhën amtare. Po ndodh ajo që të gjithë e kemi pasur frikë: shkëputja nga rrënjët.

Mërgimi është realitet, por harrimi nuk duhet të jetë. Shqipja është më shumë se një mjet komunikimi – është kujtesë, është kulturë, është identitet. Nëse humbim shqipen, humbim veten.

Më kujtohen rilindasit tanë.

Po të na dëgjonin sot, ç’dhimbje do t’u vinte në zemër. Ata që e mbajtën gjuhën gjallë në kohët më të vështira, me shpirt e me pushkë, do të na shikonin sot duke e lënë pas dore në paqe, në vendin tonë, në mes të pushimeve.

Ta ruajmë gjuhën shqipe brez pas brezi. T’ua mësojmë fëmijëve tanë me dashuri, me krenari. Le ta flasim, le ta këndojmë, le ta jetojmë çdo ditë. Sepse një komb që harron gjuhën e vet, është një komb që harron vetveten. / SAM24.info

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit