Më 14 dhjetor 2025, në qendrën e Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, u mbajt një takim kulturor, letrar dhe artistik me përmasa të veçanta, i cili mblodhi krijues, intelektualë dhe veprimtarë shqiptarë nga diaspora, duke e kthyer këtë hapësirë në një vatër të gjallë të kulturës dhe shpirtit kombëtar shqiptar.
Ky aktivitet i rëndësishëm u organizua nga Lidhja e Artistëve të Diasporës Shqiptare, në bashkëpunim me Misionin Katolik Shqiptar në Luzern, Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Shoqatën “Sali Çekaj”, duke dëshmuar edhe një herë se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shoqatave shqiptare në mërgatë mbetet çelësi i ruajtjes dhe promovimit të identitetit tonë kombëtar.
Takimi nisi në një atmosferë solemne me interpretimin e Himnit Kombëtar, i cili u përjetua me emocione të veçanta nga të pranishmit. Më pas, programi vijoi me përshëndetje dhe fjalime rasti, kumtesa tematike, një orë letrare me krijime artistike, shfaqjen simbolike të buzmit bujar, ceremoninë e ndarjes së çmimeve për kontribute të veçanta kulturore, si dhe u përmbyll me një aperitiv tradicional, të përgatitur me përkushtim nga nënat shqiptare.Moderator i këtij aktiviteti ishte z. Mentor Thaqi, i cili me profesionalizëm dhe ngrohtësi i uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe prezantoi rrjedhën e programit. Në vijim, ai ftoi kryetarin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, z. Musa Jupolli, i cili mbajti fjalën e hapjes, duke theksuar rëndësinë e krijimtarisë artistike dhe letrare si urë lidhëse ndërmjet atdheut dhe diasporës, si dhe rolin e pazëvendësueshëm të artistëve në ruajtjen e gjuhës, historisë dhe kujtesës kolektive.
Një moment i veçantë i takimit ishte fjala përshëndetëse e Dr. Don Anton Ukës, misionar nga Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, i cili përcolli një mesazh frymëzues për unitetin, vlerat shpirtërore dhe përgjegjësinë që mërgata shqiptare ka ndaj brezave të rinj. Ai vlerësoi aktivitetin si një dëshmi të gjallë të dashurisë për kulturën dhe traditat shqiptare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre vlerave në kushtet e jetesës larg atdheut.
Gjatë takimit, edhe të ftuar të tjerë mbajtën fjalime përshëndetëse, duke ndarë mendime, përvoja dhe reflektime mbi rolin e kulturës në jetën e diasporës. Ora letrare solli krijime të ndryshme poetike dhe artistike, të cilat u pritën me interes dhe duartrokitje nga publiku, duke e pasuruar edhe më tej përmbajtjen e aktivitetit.
Ky takim kulturor dhe miqësor u dallua për organizimin e mirë, larminë e programeve dhe, mbi të gjitha, për mesazhin e qartë dhe të fuqishëm që përcolli: ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës, traditave dhe figurave tona kombëtare, si themel i identitetit shqiptar në diasporë.
Në përmbyllje, organizatorët meritojnë përgëzime për përkushtimin dhe punën e tyre, ndërsa pjesëmarrësit shprehën dëshirën që takime të tilla të bëhen edhe më të shpeshta. Këto aktivitete jo vetëm që na japin mundësinë të takohemi dhe të forcojmë lidhjet mes nesh, por edhe të ndajmë, secili në mënyrën e vet dhe me përvojën e vet njerëzore e intelektuale, thesaret shpirtërore dhe kulturore që kemi trashëguar nga paraardhësit tanë dhe që i kemi pasuruar ndër vite në mërgim.
Takimi në Luzern ishte një dëshmi e qartë se kultura shqiptare jeton, frymon dhe zhvillohet edhe larg atdheut, falë njerëzve që e mbajnë gjallë me dashuri, përkushtim dhe vizion, njofton Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, transmeton helveticALforum.ch
Përgatiti D.H




