1.9 C
Zurich
Tuesday, December 2, 2025
spot_img
spot_img

Në LAPSH Cyrih: Ph.D Lipaj dhe Ph.D Hebibi mysafirë në orën e Prof. Ulajt

Duhet ti lexosh

Wetzikon, 01 dhjetor 2025 – Sonte, në shkollën Guldisloo në Wetzikon të kantonit të Cyrihut, u zhvillua një takim i veçantë dhe mjaft i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Zvicër. Shkencëtari i njohur i fushës së mjekësisë në DEMENZ që jeton dhe vepron në Zvicër, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, vizitoi klasën e mësuesit të LAPSH-it, Prof. Naser Ulaj, ku po zhvillohej mësimi me 15 nxënës të klasave 1–8 të shkollës plotësuese shqipe.

Prof. Dr. Lipaj ishte i shoqëruar nga Dr. Sc. Dashnim Hebibi, ish-mësues i LAPSH-it, anëtar nderi i organizatës për kantonin Cyrih dhe një kontribuues i palodhur edhe për arsimin shqip në Zvicër dhe më gjerë. Në takim ishte i pranishëm edhe z. Adriatik Golaj, prind nga rrethina e Gjakovës, i cili kishte ardhur për ta përcjellë djalin e tij – po ashtu nxënës i shkollës shqipe.

Prof. Naser Ulaj, njëkohësisht kryetar i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, i mirëpriti mysafirët dhe falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme. Ai prezantoi para nxënësve figurat e nderuara të arsimit dhe shkencës shqiptare në Zvicër.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, Prof. Dr. Lipaj foli me modesti për rrugëtimin e tij akademik – nga hapat e parë e deri te arritjet më të larta në shkencë. Ai u dha nxënësve mesazhin e fortë se suksesi arrihet me punë, këmbëngulje dhe dëshirë për të mos u dorëzuar kurrë. Fjalët e tij, të mbushura me motivim dhe sinqeritet, u ndoqën me vëmendje të madhe nga fëmijët.

Edhe Dr. Hebibi theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe dhe të ardhmes së arsimit plotësues, duke falënderuar shtetin zviceran për mundësitë që i ka ofruar komunitetit shqiptar. Ai shprehu dëshirën që numri i nxënësve në shkollat shqipe të vazhdojë të rritet.

( I pari nga e majta Prof.Dr.Xhavit Lipaj, Adriatik Golaj dhe Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kt.Cyrihut)

Z. Golaj, si prind, vlerësoi lart vizitën dhe punën e çmuar që po bën Prof. Ulaj për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare tek brezat e rinj.

Në fund të takimit u realizua një foto kujtimi, ndërsa mysafirët u ndanë me përshtypje dhe fjalë shumë pozitive për LAPSH-in dhe misionin e tij fisnik, njofton helveticALforum.ch

LAPSH për kantonin e Cyrihut njofton se të shtunën më 6 dhjetor në Winterthur duke filluar nga ora 18.00 do të organizojë një koncert festiv me rastin e 28 Nëntorit, ku Prof. Ulaj fton të gjithë bashkatdhetarët të bashkohen për të mbështetur fëmijët dhe shkollën shqipe.

LAPSH vazhdon të mbetet një shtyllë thelbësore ose thënë më mirë më kryesorja për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe kulturës sonë shqiptare në Zvicër – dhe meriton mbështetjen e të gjithëve, transmeton helveticALforum.ch.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme