
Nga Prof. Dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Ka jetë që kalojnë në heshtje, të përmbushura brenda kufijve të tyre.
Dhe ka jetë që tejkalojnë vetveten, që shndërrohen në burim, në fillim, në vazhdimësi.
Më 27 mars 2026, në një mbrëmje të veçantë në Hotelin Venus në Prishtinë, pata nderin të jem pjesë e aktivitetit “Një jetë e Dr. Dërgut Aliut”, si dhe në rolin e redaktorit të këtij libri.

Por kjo ngjarje nuk ishte thjesht një akt kulturor apo një përmbledhje kujtimesh të shkruara.
Ajo ishte një ndalesë reflektimi përballë një jete që nuk mund të matet me vite, por me ndikimin që ka lënë në ekzistencën e të tjerëve.

Në mesin e të pranishmëve ndodheshin figura të njohura të jetës publike, akademike dhe institucionale, Darling Vlora, Arsim Mulliqi, Flamur Gashi, Kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, Fadil Asani, Aga Rafet, Ukë Rugova, si dhe PhD Dashnim Hebibi, udhëheqësi i mbrëmjes, një moderator me zë dhe vlera të larta e njëherit edhe autor i librit që me shumë përkushtim e ka përgatitur, një libër në nivel profesional. Prania e tyre, së bashku me shumë personalitete të tjera, e ktheu këtë mbrëmje në një hapësirë ku respekti dhe mirënjohja morën formë kolektive.

Por përtej emrave dhe protokollit, ajo që qëndronte në thelb ishte një pyetje filozofike:
Çfarë e bën një jetë të madhe?
Në një botë ku profesionet janë të shumta dhe rolet të ndryshme, ekzistojnë disa fusha që prekin vetë esencën e qenies. Ato nuk merren vetëm me jetën si fenomen biologjik, por me momentin kur jeta fillon, me kalimin nga mosqenia në qenie.

Mjekësia obstetrike është një nga këto kufij të rrallë.
Dhe pikërisht në këtë kufi ka qëndruar për dekada Dr. Dërgut Aliu. Jo si një vëzhgues i jashtëm, por si një ndërmjetës i heshtur i një prej mrekullive më të mëdha njerëzore: në atë çast kur një rrahje zemre nuk është më potencial, por bëhet realitet; kur një familje nuk është më pritje, por lindje; kur historia vazhdon përmes një jete të re.
Megjithatë, jeta nuk është vetëm fillim.
Ajo është kujtesë.
Është ndërtim i brendshëm, përjetim, identitet.

Dhe një ditë, në rrjedhën e natyrshme të kohës, kjo kujtesë fillon të zbehet.
Demenca na vendos përballë një paradoksi të thellë ekzistencial: njeriu mund të humbasë kujtesën, por nuk humbet kurrë vlerën e jetës që ka jetuar. Ajo që është përjetuar, dashur dhe ndërtuar mbetet e gdhendur përtej vetëdijes.
Në këtë kuptim, roli i një mjeku si Dr. Aliu tejkalon aktin e lindjes si proces klinik. Ai bëhet një akt themelues i historive njerëzore. Çdo jetë që ai ka ndihmuar të fillojë nuk është vetëm një fillim biologjik, por një univers i tërë përvojash, marrëdhëniesh dhe kuptimesh që shpalosen në kohë.
Dhe edhe nëse një ditë kujtesa e këtyre jetëve zbehet, gjurmët e tyre nuk zhduken.
Ato vazhdojnë në të tjerët, në shoqëri, në vetë vazhdimësinë e qenies njerëzore.
Prandaj, mirënjohja në raste të tilla nuk mund të reduktohet në fjalë.

Se fjala “faleminderit” është gjithmonë më e vogël se pesha e një jete që ka dhënë fillim jetëve të tjera.
Ajo që mbetet është pranimi i një të vërtete më të thellë:
ka njerëz që jetojnë jetën e tyre, dhe ka njerëz që bëhen arsyeja pse jeta vazhdon.
Dr. Dërgut Aliu i përket kësaj të fundit.
Me rastin e 30-vjetorit të institucionit “Lindja” dhe 40-vjetorit të misionit të tij në mjekësi, bëhet e qartë se kjo rrugë nuk është thjesht një karrierë profesionale.
Është një ndërtim i përjetësisë përmes jetës.
Se në fund, madhështia nuk qëndron në atë sa gjatë jeton një njeri, por në atë sa jetë fillojnë përmes tij.




