Nga Dashnim HEBIBI
Vatikan, shkurt 2026 – Disa vite më parë pata fatin të udhëtoj në Romë në cilësinë e redaktorit të asaj kohe në redaksinë e gazetës “Bota Sot” në Cyrih. Ishte një udhëtim që mbetet ndër kujtimet më të paharrueshme të jetës sime profesionale: ceremonia e lumturimit të Nënë Terezës në Vatikan, më 19 tetor 2003.

Sheshi i Shën Pjetrit atë ditë nuk kishte qenë kurrë më kuq e zi.
Shqiptarë nga të gjitha trevat – nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Malii Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora – ishin mbledhur së bashku. Mes tyre kishte katolikë, myslimanë dhe besimtarë të tjerë, por mbi të gjitha kishte shqiptarë që i bashkonte gjuha, flamuri dhe krenaria për bijën tonë që i dha botës një mesazh të përjetshëm humanizmi. Në atë kohë, prania e mediave shqiptare ishte e kufizuar dhe shumë pak redaksi patën mundësi të mbulonin nga afër një ngjarje kaq të madhe historike.
Vite më vonë, mora pjesë edhe në një tjetër moment historik – shenjtërimin e Nënë Terezës më 4 shtator 2016, ku isha së bashku me mikun tim të paharruar, tashmë të ndjerin PhD Llukman Halili. Për organizimin e udhëtimit, biletat dhe hotelin u kujdes me përkushtim miku ynë i madh, medvegjsi Fadil Selmani-KAPITI, një zë i palodhur lobimi për shqiptarët e atyre trevave. Ishte një tjetër ditë krenarie kombëtare, kur bota mbarë nderonte shenjtoren shqiptare.
Ndërsa këtë herë, më 5, 6 dhe 7 shkurt, pata rastin të qëndroj sërish në Romë së bashku me dajën Bekimin dhe Argëtim Imeri. Pas disa takimeve me punë që zhvilluam atje, u ndalëm edhe në disa vende që na rikthyen kujtimet e vizitave të mëparshme, duke përjetuar sërish emocionin që lidhet me ato ditë historike kur shqiptarët mbushën Sheshin e Shën Pjetrit me flamuj kuqezi.

Sot, duke i rikujtuar këto momente, mbetet e gjallë shpresa që një ditë edhe Vatikani ta njohë shtetin e Kosovës – vendin që i dha botës Nënë Terezën, simbolin universal të dashurisë, sakrificës dhe humanizmit.
Kujtimi i atyre ditëve na rikujton se, pavarësisht dallimeve, shqiptarët dinë të bashkohen kur bëhet fjalë për vlerat që na përfaqësojnë para botës.
Foto nga Argëtim Imeri




