3.7 C
Zurich
Wednesday, November 19, 2025
spot_img
spot_img

Në ditët e Kongresit të Manastirit

Duhet ti lexosh

Prof. Dr. Shefkije Islamaj

Ishte ditë e shtunë, 14 nëntor 1908 kur Kongresi i Manastirit filloi punën e tij, kurse i përfundoi në ditën e 9-të, ditë e diel, 22 nëntor 1908. Gazeta “Liria”, që nisi të botohej nga Mit’hat Frashëri në Selanik më 14 korrik 1908, pikërisht katër muaj para se të mbahej Kongresi i Manastirit, në numrin 15 të saj, që dilte çdo të shtunë, në tri faqe e para të mëdha e të plota, raportonte hollsisht për organizmin, përgatitjen dhe ngjarjet që i kanë paraprirë këtij Kongresi, si dhe për të gjitha zhvillimet ditore që kanë ndodhur brenda këtyre 9 ditëve sa ka zgjatur ky Kongres.

Në faqen 4 paraqitet jehona e këtij Kongresi në shtypin e kohës, në Shqipëri dhe jashtë saj, në viset shqiptare dhe në diasporat shqiptare, përmes letrave, telegrameve, shkrimeve, reagimeve etj.

Raportimi i hollësishëm për Kongresin nis me Thirrjen që Klubi i Manastirit ua kishte dërguar në fillim të shtatorit 1908 të gjitha shoqërive, klubeve, intelektualëve, shkrimtarëve, publicistëve, botuesve dhe si thuhet në këtë thirrje të gjithë “mirëdashësve vëllezër Shqiptarë”, të cilët: “prej kohësh e tehu e kanë ndjerë nevojën e madhe për të dhënë një fund çështjes’së Abecesë”. (f.1) Thirrja njofton për mbledhjen dhe qëllimin dhe është nënshkruar nga Pleqësia e klubit “Bashkimi” të Manastirit.

Shkrimi i njofton lexuesit e saj jo vetëm për Thirrjen, por edhe për Programin e punimeve të Kongresit, për pjesëmarrësit në Kongres pra për listën e delegatëve, për zgjedhjen e komisionit, për diskutimet, për procesvebalet e nëntë mbledhjeve sipas radhës, përgjatë nëntë ditëve të punimeve të Kongresit dhe të Komisionit dhe për vendimin e Komisionit lidhur me përzgjedhjen e alfabetit.

Vendimi u shkrua me shkronjat e alfabetit të përzgjedhur. Shkrimi zbulon gjithçka ka ndodhur brenda ditëve sa ka zgjatur Kongresi e deri te atmosfera e ditës së fundit. Kështu, në ditën e tetë, të parafundit, qysh në katër të mëngjesit, salla dhe katër dhomat allaturka të klubit qenë mbushur plot me delegatë, me, si thuhet në këtë shkrim, shoq të klubit, dhe me nxënës të shkollës “idadie”. Folësi i parë i kësaj dite ishte Haxhi Vildan Efendia, i cili foli për lirinë, despotizmin, njeriun, vetëdijen dhe bashkimin. E nisi shqip dhe e përfundoi turqisht kurse e përktheu Abdyl be Ypi. Folësi i dytë ishte vetë Fishta i cili i tha rëndësi nevojës së mësimit dhe të shkollave shqipe, i treti Fazli pashë Tirana e më pas Çerçiz Topulli e Mihal Grameno ia morën këngës trimërishte, kurse ison ua mbanin edhe “disa zëra grash, shqiptarka t’ardhura për të dëgjuar fjalët e delegatëve.” (f. 2).

Sipas këtij shkrimi të gazetës “Lirija”, dita u mbyll me një darkë që shtroi për 70-80 veta Klubi i Manastirit, që përmblodhi gjithë delegatët dhe shqiptarët e Manastirit, në një tryezë ku ishte edhe valiu i Manastirit Hivzi pasha. Në darkë ngriti dollinë i pari kryetari i klubit Fehmi Zavalani “për shënden e të gjithë Shqiptarëvet”, si tha ai, kurse Mit’hat Frashëri ngreu dollinë “për trupin e mendjen e Shqipëtarisë q’u ep fuqi dhe zemër gjithë Shqiptarëvet.” (f. 2).

Pas darke, si thuhet në gazetën “Liria”, f. 3,dhe siç do të ishte e pritshme, një fjalim të bukur e mbajti Gjergj Fishta, kurse i erdhi përkrah me fjalën e tij plot urtësi Ndre Mjeda duke thënë se “Shqiptarët qenkanë të zotër që dhe të bashkohen dhe të punojnë s’bashku’sikundre q’i rrëfeu edhe kjo mbledhje e Manastirit.” (f. 2).

Në ditën e nëntë, të fundit, e diel, sipas gazetës, u mblodhën delegatët, diskutuan për çështje me interes dhe morën dy vendime: e para, u vendos: “që klubet dhe shoqëritë që janë në Shqipëri të shkruajnë te klubi i Manastirit për çdo gjë të vlejtur q’u shkon në mendje, dhe Klubi i Manastirit të ketë për detyrë të bëjë në muaj një herë nga një raport që ta dërgojë në të tërë klubet dhe shoqëritë. Në këtë mënyrë klub’ i Manastirit do të jetë si shkronjës i klubeve të tjere, po s’do të ketë no një fuqi tjetër.”; e dyta, “u vendos: që për dy vjet të mblidhet një kongres për gjuhët dhe për literaturën shqip dhe u tregua për vent Janina dhe për ditë 10 korrik 1910.” (f. 3).

Këtu përfundon punën Kongresi i Alfabetit, por këtu nuk përfundon punën e gazetës “Lirija”, Ajo do të vazhdojë të botojë shkrime që afirmojnë njësimin e alfabetit, që nxisin dashurinë për gjuhën e shkollën, por edhe shkrime ku kritikohej e luftohej çdo qëndrim kundër abecesë shqipe e kundër çdo qëndrimi antikombëtar me të cilin dëmtohej ose mund të dëmtohej gjuha, arsimi dhe liria e shqiptarëve.

Më poshtë: 4 faqet e para të gazetës “Lirija”, kushtuar Kongresit të Manastirit./GDielli

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit