Në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosova, mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e vendit u mblodhën në Prishtinë në një marsh mbështetës për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Marshi u organizua me moton “Drejtësi, jo politikë”, ndërsa në përmbyllje organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të kalojnë pranë obeliskut Newborn për të marrë dhurata simbolike me datën 17 Shkurt dhe me simbolet e marshit.
“UÇK-ja është themel i lirisë sonë”
Fjalimin hapës e mbajti Ismail Tasholli nga iniciativa “Liria ka emër”, i cili theksoi se UÇK-ja nuk përfaqëson ndarje politike, por unitet kombëtar.
“Kur vjen fjala për UÇK-në, aty nuk ka ndarje, nuk ka poste. Aty jemi krejt bashkë. Ushtria Çlirimtare nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë”, deklaroi ai para mijëra marshuesve.
Sipas tij, në çdo qytet e fshat që kanë vizituar, emri i UÇK-së ka qenë simbol nderi, sakrifice dhe krenarie, pjesë e identitetit kolektiv të popullit të Kosovës. Ai shtoi se thirrjet për drejtësi nuk janë kundër askujt, por në mbrojtje të dinjitetit dhe karakterit çlirimtar të luftës.
Thirrje për lirimin e të akuzuarve
Në mesin e folësve ishte edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mes emocionesh, ajo tha se liria erdhi me sakrificë dhe gjak, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë.
“Kur cenohen liria dhe drejtësia, populli shqiptar bashkohet. Ata e mbrojtën popullin e vet, si gjithë Ushtria Çlirimtare”, u shpreh ajo.
Sakrifica që i përket gjithë popullit
Para qytetarëve foli edhe Çlirim Haziri, djali i veprimtarit të zhdukur të luftës, i cili theksoi dhimbjen dhe krenarinë që mbartin familjet e të zhdukurve.
“Sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje, por i përket gjithë popullit. Kur preket sakrifica, qohemi të gjithë bashkë”, tha ai, duke shtuar se 17 Shkurti është jo vetëm festë, por edhe betim për të mos harruar dhe për të mbrojtur dinjitetin e luftës.
“Kërkojmë drejtësi, jo mëshirë”
Fjalë rasti mbajti edhe ish-ushtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi, e cila kujtoi kohën kur iu bashkua luftës për liri.
“Sot kur kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë mëshirë. Kërkojmë drejtësi të vërtetë, të paanshme dhe të pandikuar politikisht”, tha ajo, duke shtuar se padrejtësia ndaj sakrificës rrezikon të lëndojë kujtesën dhe besimin e shoqërisë në të ardhmen.
Marshi u zhvillua në atmosferë të qetë, nën simbolet kombëtare dhe me mesazhe uniteti, në një ditë që përkujton shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe sakrificat që i paraprinë asaj, transmeton rtk.




