Sot, skena e Fest 64 hap perden e natës së tretë, një mbrëmje ku koha duket se ndalet për t’i lënë vend muzikës. Dy breza takohen në të njëjtën hapësirë tingujsh, ndërsa publiku ftohet të përjetojë emocione që lindin nga këngë nostalgjike, këngë që flasin me gjuhën e kujtesës dhe të zemrës, duke prekur çdo shqiptar pa përjashtim.
Në këtë natë të tretë të Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, do të vijnë për publikun këngë që kanë bërë historinë, të riorkestruara me frymë moderne nga dirigjentët Kapedani, Qinami dhe Ademaj.
Mbrëmja e djeshme, nata e dytë e FEST 64, u mbyll duke lënë pas gjurmë emocionesh të forta, ku interpretimet mbresëlënëse dhe performancat e kuruara, mbajtën publikun të mbërthyer deri në notat e fundit.
Në dy netët e para të Festivalit të Këngës, në Pallatin e Kongreseve, 28 këngë u përballën në garë, secila me shpresën për të fituar “biletën” drejt skenës së madhe evropiane, Eurovision 2026 në Austri.
Me rënien e perdes së natës së dytë, nis edhe rrugëtimi i fundit drejt finales, nata e katërt, aty ku pritja shndërrohet në numërim mbrapsht dhe emocionet shtohen me çdo orë që kalon.
Organizatorët kanë bërë të ditur mekanizmin që do të përcaktojë rrugëtimin e artistëve drejt natës finale. Nga 28 emra që nisën këtë udhëtim muzikor, vetëm 23 prej tyre do të vijojnë më tej. Finalja do të ndërtohet mbi 5 vende për kategorinë “Debutues” dhe 18 vende për kategorinë “Big”, duke sjellë një përzgjedhje që synon të përfaqësojë më të mirën e skenës muzikore shqiptare.
Për të garantuar transparencë, fituesi do të përcaktohet nga formula 50% votat e jurisë dhe 50% votat e publikut përmes SMS-ve (Vodafone/One në Shqipëri dhe IPKO/Vala në Kosovë), transmeton rtsh.




