1.9 C
Zurich
Friday, January 2, 2026
spot_img
spot_img

Nata e fundit në atdhe – kur sytë nuk mbyllen dhe zemra qan

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Rrugë të mbarë, mërgimtarë – drejt atdheut tuaj të dytë !

Prej nesër, thuajse të gjithë mërgimtarët do të nisin rrugën e gjatë të kthimit drejt kurbetit, atdheut të tyre të dytë. Ndarja kurrë nuk është e lehtë. Ajo shoqërohet me lot, me dhimbje të heshtura dhe përqafime që zgjasin më shumë se zakonisht. Ndarja nga prindërit, nga familja dhe të afërmit, është plagë që hapet çdo herë, por mërgimtari e di se do të vijnë pushime të tjera, ditë të tjera takimi. 

Festat e fundvitit tashmë kanë kaluar. Qytetet dhe fshatrat tona, që për disa javë gumëzhinin nga jeta, zërat dhe gëzimi i mërgimtarëve, fillojnë të zbrazen. Prej nesër, rrugët e Evropës do të mbushen me vetura dhe autobusë plot shqiptarë, me çanta të mbushura jo vetëm me rroba, por me mall, kujtime dhe dashuri për atdheun.

Është e papërshkrueshme nata e fundit e mërgimtarit në atdhe. Një natë pa gjumë, një natë e mbushur me mendime, me shikime drejt mureve të shtëpisë, oborrit, rrugicës së fëmijërisë. Nuk flehet atë natë – dhe këtë e dimë mirë, sepse e kemi përjetuar dhe e përjetojmë gjithmonë. Me mërgimtarët kishte më shumë jetë. Qytetet ishin më të gjalla, rrugët më të zhurmshme, tregjet më plot. Ishte ngarkesë, po ishte ngarkesë me jetë. Kjo është jeta e mërgimtarit: andej e këndej, gjithmonë në rrugë, gjithmonë me çanta në dorë dhe me zemrën të ndarë në dy pjesë.

Presim dhe urojmë që të kthehen shëndosh e mirë. Padyshim se do të kenë pritje të gjata nëpër kufij, por mërgimtarët janë mësuar të presin. Ata presin me durim, sepse zemrën dhe shpirtin e kanë mbushur me dashurinë për atdheun. Rruga qoftë e ngadaltë, por më e rëndësishmja është që kthimi të jetë i sigurt. 

Mërgata ka qenë dhe do të mbetet arteria kryesore e së mirës në atdhe. Mërgimtari nuk vjen kurrë vetëm; ai vjen me hijen e atdheut mbi supe, me hijen e prindërve, të familjes, të shtëpisë që e pret. Ai largohet fizikisht, por shpirtërisht mbetet gjithmonë këtu.

Rrugë të mbarë, mërgimtarë. Atëdheu ju përcjell me mall dhe ju pret sërish.

HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme