Filmi “Mundije”, i regjisorit kuksian Fatmir Bardhoci, është një prej projekteve kinematografike që trajton me ndjeshmëri historinë e viktimave të luftës së Kosovës dhe mbi të gjitha historinë e jetës së tij.
“Tema kryesore e saj janë pjesë nga jeta ime dhe ka të bëjë me ngjarje kanë ndodhur në Kukës. Është një dramë që vjen nga komunizmi dhe që vazhdon edhe sot. Flasim për ngjarjet tragjike të cilat kanë ndodhur në Kukës, drama e komunizmit që i ndjek shqiptarët deri ditët e sotme. Filmi është xhiruar në 6 vende të botës, përfshirë Hollivud, Nju Jork, Meksikë, Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë”, u shpreh regjisori Fatmir Bardhoci.
Ai ndalet edhe te rrugëtimi ndërkombëtar i filmit, i cili është pritur me shumë vlerësime në festivale të ndryshme jashtë vendit.
“Ka marrë deri tani 8 çmime ndërkombëtare, ndërkohë ka fituar Festivalin e Filmave aksion në Nju Jork, ka fituar Festivalin e Filmave Sportivë në Itali, ku është shpallur filmi më i mirë, 3 çmime ndërkombëtare nga festivale europiane dhe është shfaqur në Hollivud, në Venecia Film Festival, Berlin, Mynih dhe tani në Kukës”, theksoi ai
Filmi “Mundije” mbetet një kontribut i rëndësishëm artistik dhe human, që sjell në vëmendje dramën e një periudhe të errët, duke e shndërruar në një kujtim të përhershëm për brezat e ardhshëm. / Irda Bajraktari, transmeton rtsh.




