Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore solli për dy netë një spektakël të paharrueshëm, duke prezantuar thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare, të shpallura nga UNESCO si pasuri e njerëzimit.
Në skenën e TKOBAP, publiku pati mundësinë të shijojë një repertor të pasur nga muzika, vallja dhe traditat që përfaqësojnë identitetin e thellë të Arbërisë. Shfaqja “Mrekullitë e Arbërisë” përfshiu performanca të lahutës, hijeshinë e xhubletës dhe fuqinë e polifonisë shqiptare, duke ofruar emocione të rralla dhe një udhëtim autentik në rrënjët e kulturës shqiptare.
Dy netët e koncertit u shoqëruan me entuziazëm të madh nga publiku, i cili mbushi sallën dhe shprehu mirënjohjen ndaj artistëve për përkushtimin dhe energjinë e tyre. Pjesë të tjera të shfaqjes, që ndodhen në proces për t’u vlerësuar nga UNESCO, sollën një prekje të veçantë të trashëgimisë së pasur shqiptare, duke rikujtuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të saj në arenën ndërkombëtare.
Ky koncert ishte jo vetëm një festë e artit dhe traditës, por edhe një dëshmi e gjallë e pasurisë kulturore të Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke ecur drejt njohjes globale të vlerave të saj unike, transmeton rtk.




